Lidhje

Nikoliç u bën thirrje serbëve të Kosovës të qëndrojnë për të ruajtur shtetin serb


Kandidati i Partisë Radikale serbe për postin e presidentit të Serbisë Tomislav Nikoliç u bëri thirrje sot serbëve të Kosovës, që të qëndrojnë në Kosovë për të ruajtur siç tha ai, praninë e shtetit serb.

Ai i bëri këto komente gjatë një tubimi në veriun e qytetit të ndarë të Mitrovicës të banuar me shumicë serbe. Ai porositi disa nga mijëra pjesëmarrësit në këtë tubim, se Serbia do t'i mbrojë ata, nëse këtë nuk e bëjnë Kombet e Bashkuara.

“Nuk guxon t'u mungojë asgjë. Serbia do të zhduket nëse juve këtu u ndodhë diçka për të cilën diku flitet, sikur ka pak serbë që do t'u mbrojnë, sikur ka pak duar, koka e heronj serbë. Ju nuk duhet të brengoseni”, - u ka thënë të pranishmëve Tomislav Nikoliç, duke nënvizuar se siç është shprehur ai, Kosova duhet të jetë betimi i çdo qytetari të Serbisë dhe kjo sipas tij është porosi për të gjithë ato vende që mund të njohin pavarësinë e Kosovës.

Beogradi kërkon vazhdimin e negociatave për statusin e Kosovës dhe ka paralajmëruar një varg masash në rast të shpalljes së pavarësisë nga institucionet e Kosovës.

Prishtina ndërkaq, paralajmëron një vendim të shpejtë për shpalljen e pavarësisë por në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Por ky vendim nuk mund të pritet para përfundimit të zgjedhjeve presidenciale në Serbi të cilat vlerësohen me rëndësi thelbësore për orientimin politik të Beogradit.

Afrimi i fundit të procesit për zgjidhjen e statusit të Kosovës ka shtuar shqetësimet për situatën e sigurisë posaçërisht në qytetin e Mitrovicës, i cili që nga përfundimi i luftës, është ndarë në veriun e banuar me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare.

Zyrtarë të lartë në Prishtinë thonë se funksionimit të strukturave paralele serbe në Kosovë po u vije fundi, ndërsa e kanë cilësuar si të paligjshme edhe fushatën për zgjedhjet presidenciale serbe që mbahet edhe në Kosovë. Autoritetet serbë planifikojnë që të dielën të hapin rreth 300 qendra votimi në zonat e banuara me serb, ndërsa vetëm në pjesën veriore të Mitrovicës 21 qendra votimi.

Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë thanë se as nuk do të pengojnë e as të mbështesin mbajtjen e këtyre zgjedhjeve një qëndrim ky i njëjtë gjatë tetë viteve të fundit gjatë të cilave në zonat e banuara me shumicë serbe janë mbajtur zgjedhjet e organizuara nga Beogradi.//lk

XS
SM
MD
LG