Lidhje

Kosovë: Autoritetet zotohen të respektojnë të drejtat e pakicave


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot se institucionet e vendit do të punojnë për bashkëpunim ndërmjet të gjitha komuniteteve të cilave do t'u dërgohen porosi të mirëkuptimit dhe në asnjë mënyrë të hakmarrjes.

Ai i bëri këto komente pas takimit me Komisionerit e Lartë për pakicat në Organizatën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, Knut Vollebek.

Ky i fundit tha sot se pavarësisht çfarë do të jetë statusi politik, Kosova duhet të jetë vend i të gjitha bashkësive etnike. Ai vuri theksin në shqetësimet e pakicave për të ardhmen e tyre në Kosovë ndërsa vlerësoi lart ligjet e avancuara për mbrojtjen e pakicave që janë hartuar nga institucionet vendase. Ambasadori Vollebek, i cili ishte shef i Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë në periudhën e luftës së Kosovës, i porositi udhëheqësit e vendit që të punojnë për ta bërë Kosovën vend të lirë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e saj.

Pavarësisht nga statusi i Kosovës ju mund të gjeni rrugë për të jetuar së bashku dhe kjo duhet të fillojë tashti," tha ambasadori Vollebek, duke i siguruar autoritetet se organizata e tij do të mbështesë institucionet e Kosovës në përmbushjen e këtyre synimeve.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se qeveria e tij do të ushtrojë autoritetin e saj në tërë Kosovën për të mirën e të gjithë qytetarëve të saj pa dallime etnike. Sipas tij Kosova do të jetë shtet model, ku të gjithë qytetarët e saj do të ndjehen të lirë e të sigurt.

Siguria për të ardhmen e suksesshme të Kosovës është respektimi dhe garantimi i të drejtave të minoritarëve. Qasja ime ndryshe do të jetë ajo që, jo vetëm që do të flasë për të drejtat e minoritarëve, por do të punoj direkt në terren, do të vendos kontakte komunikimi në çdo hapësirë të territorit ku jetojnë pakicat, në mënyrë që të filloj t'i zgjidhi problemet e tyre dhe ky autoritetet i komunikimit do të kërkojë të ushtrohet, jo vetëm në nivel qendror, por edhe në atë lokal", tha kryeministri Thaçi.

Institucionet e Kosovës janë duke hartuar ligjet e reja në frymën e propozimit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari i cili ka propozuar pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën. Propozimi i tij i pranuar dhe miratuar nga Prishtina u garanton pjesëtarëve të komunitetit serb një shkallë të lartë të të drejtave të tyre përfshirë edhe lidhjet me Beogradin. Por propozimi i cili nuk është miratuar nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për shkak të kërcënimit rus me përdorimin e vetos, është kundërshtuar ashpër nga Beogradi dhe rrjedhimisht edhe përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës. (ze)

XS
SM
MD
LG