Lidhje

Hashim Thaçi zgjidhet Kryeministër i Kosovës


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish udhëheqësi politik i ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçi, nga sot është kryeministër i vendit. Kabineti i tij qeverisës i përbërë nga Partia e tij, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe tre ministra të pakicave kombëtare u votuan në orët e mbrëmjes në Parlamentin e ri të Kosovës.

Partia e zotit Thaçi, fituese e zgjedhjeve të 17 nëntorit, do të ketë shtatë ministri, ndërsa pesë të tjera i mbeten Lidhjes Demokratike të Kosovës. Tetëdhjetë e pesë deputetë votuan për, 22 ishin kundër ndërsa katër prej tyre ishin të përmbajtur. Në mesin e të përmbajturve kishte edhe anëtarë të partnerëve të koalicionit.

Tridhjetenëntëvjeçari Hashim Thaçi do të drejtojë koalicionin e ri qeverisës i cili do të përballet me sfidën themelore të vendimit për statusin politik të Kosovës. Duke folur para Zoti Thaçi u zotua për shpalljen e pavarësisë së Kosovës në një afat të shkurtër por në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Duke ju drejtuar bartësve të institucioneve ai tha se para tyre ndodhen sfida të mëdha.

“Unë pres bashkëpunim të ngushtë me ju në mandatin tonë 4-5 vjecar në periudhën kritike që do të ketë kjo qeveri në përpjekjet e saj për të vënë Kosovën në epokën e re të lirisë, pavarësisë, zhvillimit dhe rendit demokratik”, tha kryeministri Thaçi.

Por, shpallja e pavarësisë nuk mund të pritet para zgjedhjeve presidenciale në Serbi të caktuara për 20 janar, përkatësisht 3 shkurt të këtij viti. Beogradi i mbështetur edhe nga Rusia kundërshton çdo mundësi të pavarësimit të Kosovës, si dhe vendosjen e një misioni të ri të Bashkimit Evropian që do të zëvendësojë Misionin e Kombeve të Bashkuara.

Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin veprime kundërshtuese ndaj pavarësisë së mundshme të Kosovës, posaçërisht në veriun e saj. Zoti Thaçi tha sonte se Kosova do të funksionojë si një tërësi në kufijtë aktual të saj, ndërsa u zotua për bashkim të të gjithëve përballë sfidave e pengesave që e presin Kosovën.

Institucionet e Kosovës do të funksionojnë në tërë territorin e Kosovës në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar. Për Kosovën nuk do të ketë aneksim, do të ketë vetëm integrim. Unë do të ndërtojë apo do të vazhdojë të ruaj dhe kultivoj raportet e Kosovës, të fqinjësisë së mirë edhe me Maqedoninë, edhe më Shqipërinë edhe më Malin e Zi dhe në të ardhmen demokratike edhe me Serbinë si dy vende të veçanta”, theksoi ai.

Zoti Thaçi duke ju drejtuar pjesëtarëve të komunitetit serb në gjuhën e tyre, u zotua se do të punojë për barazi dhe siguri për të gjithë. Ai tha se qeveria e tij do të punojë për kthimin e të gjithë atyre që janë larguar nga Kosova.

“Kosova është atdheu i të gjithë qytetarëve të saj dhe unë do të jem kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës”, tha zoti Thaçi, duke u zotuar për një jetë më të mirë të të gjithëve dhe për rimëkëmbje ekonomike.

Votimit për kabinetin qeveritar i paraprinë kritikat e rrepta të partive që kanë mbetur në opozitë. Ato kritikuan në veçanti disa pjesë të marrëveshjes ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike, posaçërisht pjesën në të cilën partnerët e koalicionit zotohen se nuk do të ketë mocion votëbesimi për kryeministrin dhe presidentin e vendit. Zoti Thaçi tha se kjo ka të bëjë vetëm me partnerët e koalicionit dhe nuk e pengon opozitën që të kërkojë votëbesim kurdo që ajo ta vlerësojë se ka nevojë për një gjë të tillë, ndërsa u zotua se siç u shpreh ai, do të jetë avokat i opozitës.//lk

XS
SM
MD
LG