Lidhje

Kosovë: Parlamenti i ri zhvillon sesionin e parë pas zgjedhjeve


Parlamenti i ri i Kosovës, i dalë nga zgjedhjet e 17 nëntorit, u mblodh sot për herë të parë sa për të përmbushur afatin ligjor. Nesër mbushet një muaj nga zyrtarizimi i rezultatit të zgjedhjeve dhe sipas Kornizës Kushtetuese me të cilën qeveriset Kosova, nesër do të skadonte afati ligjor për mbledhjen e tij. Deputetët vërtetuan mandatet, morën bekimin e shefit të UNMIK-ut Joakim Ryker dhe u larguan në pritje të mbledhjes së ardhshme që do të mbahet të mërkurën, me 9 janar.

Deputetët e rinj nuk patën mundësi sot as të provojnë teknologjinë e votimit, meqë nuk u zgjodh as kryetari e as kryesia e Parlamentit. Autoritetet thanë se gjithçka është e planifikuar prandaj edhe fjalimet e rastit u shtynë për të mërkurën. E tërë mbledhja e sotme u mbyll me betimin e deputeteve të cilët u zotuan se do të punojnë në pajtim me ligjet ne fuqi, standardet demokratike, si dhe respektimin e kushtetutës dhe të tërësisë tokësore të Kosovës...

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi, tha se mbledhja e sotme ishte një ditë e shënuar për qytetarët e Kosovës e cila vitin e ri po e fillon me institucione të reja që do të marrin përgjegjësitë për të ardhmen e vendit.

“Është përkushtim i të gjithëve që të punojmë bashkërisht në hapat tonë të mëtutjeshëm të kosovarëve bashkërisht me ndërkombëtarët që të përmbyllet edhe ky proces sa më shpejt që është e mundur, do të thotë, zyrtarizimi i shtetit të pavarur e sovran të Kosovës, vend i sigurt e me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, me respektim afirmativ për të drejtat e minoritarëve", - tha zoti Thaçi.

Ky është parlamenti i tretë me radhë në Kosovën e pasluftës në të cilin për herë të parë ka ndryshuar edhe radhitja e deputetëve në sallë. Pjesa qendrore e tij tash është e rezervuar për Partinë Demokratike e cila është fituese e zgjedhjeve. Nga 120 vende sa ka Parlamenti, 24 deputetë janë nga radhët e pakicave kombëtare. Njëzetë prej këtyre vendeve janë të rezervuara me Kornizën Kushtetuese.

Në mbledhjen e sotme morën pjesë edhe deputetët e partive politike serbe, të cilët kanë fituar një numër simbolik të votave për shkak të bojkotimit të zgjedhjeve nga pjesëtarët e këtij komuniteti të cilët u gjetën nën trysninë e autoriteteve të Beogradit që të mos dalin në votimet për Parlamentin e Kosovës.

Qeveria e re – deri të mërkurën Partia Demokratike, fituese e zgjedhjeve të 17 nëntorit, i ka dhënë afat deri nesër Lidhjes Demokratike të Kosovës për të arritur marrëveshjen për koalicionin e ri qeverisës. Ndonëse në vazhdimësi ishte paralajmëruar, kjo marrëveshje u zvarrit për shkak të disa mospajtimeve rreth, siç është thënë, mënyrës së qeverisjes së vendit, përkatësisht ndarjes së pushtetit ndërmjet këtyre dy partive.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj, tha se e mërkura e ardhshme, kur mblidhet sërish Parlamenti i Kosovës, do ta gjejë Kosovën me të gjitha institucionet e saj, të cilat do të votohen në pako...

"Mendoj se ka ardhur koha qe LDK të kuptoj se nuk janë fitues të zgjedhjeve. Duhet të fillojnë të sillen ashtu siç janë ne nuk kemi kohë që të vonojmë procesin. Unë besoj se kjo marrëveshje të arrihet deri nesër, nëse jo PDK do të fillojë me alternativa të reja. Ne nuk kemi kohë të presim", - deklaroi nënkryetari Limaj.

Ai tha se janë të hapura edhe mundësitë e tjera përveç koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ndërkaq, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu, tha se partia e tij nuk është shkaktare e zvarritjes së marrëveshjes për koalicion.

" Në qoftë se ka pak vonese gjithmonë duket të kemi mirëkuptim për to sepse struktura e një qeverie që ka pretendime, edhe nëse vonohet pak nuk prish punë. Sa i përket vonesës unë them të kemi mirëkuptim për zotin Thaçi sepse i duhet më tepër kohë për strukturën e sa i përket Lidhjes Demokratike të Kosovës, ne nuk jemi shkaktar të zvarritjes", - tha zoti Kryeziu.

Sidoqoftë, duhet pritur deri nesër për të parë nëse koalicioni ndërmjet këtyre dy partive do të zyrtarizohet, apo do të kërkohen rrugët e tjera për të shmangur zvarritjen e mëtejshme për krijimin e institucioneve të Kosovës.//lk

XS
SM
MD
LG