Në kushtet kur çmimi i naftës ka arritur shifra rekord, vendet prodhuese të energjisë, si Azerbaxhani, po pasurohen. Ky vend, i cili ndodhet në rajonin e pasur me energji të Azisë Qendrore, pritet të eksportojë një milion fuçi nafte në ditë vitin e ardhshëm, duke krijuar kështu të ardhura të mjaftueshme për t’u përgatitur për një të ardhme, kur rezervat e naftës do të boshatisen. Por problemi është se të ardhurat nga nafta janë ndoshta tepër korruptuese për ta mbajtur gjallë ekonominë e vendit. Materiali në vazhdim na njeh me lulëzimin e kryeqytetit të Azerbaxhanit, Baku.
Megjithëse një makinë e re ruse e markës "Lada" këtu mund ta blesh për 7 mijë dollarë, makinat e mëdha evropiane dhe ato amerikane, po bëhen përherë e më të zakonshme në rrugët e Bakusë.
Tani që çmimet e naftës po arrijnë në rreth 100 dollarë për fuçi, të pasurit po pasurohen akoma më shumë në kryeqytetin e këtij vendi të pasur me energji në Azinë Qendrore. Biznese të reja makinash, pa leje, janë shfaqur dhe po lulëzojnë nëpër parkinget dikur të zbrazët. Etibar Absob thotë se sapo ka shitur një makinë luksoze amerikane për 41 mijë dollarë.
"Gjatë këtyre 2-3 viteve të fundit, njerëzit po pasurohen dhe mund ta përballojnë blerjen e makinave të tilla. Ndërtimet e reja po shfaqen kudo - një tjetër shenjë kjo e pasurisë së naftës që ka vendi. Deri në vitin 2010, të ardhurat e Azerbaxhanit nga eksporti i naftës pritet të arrijnë në 15 miliardë dollarë në vit."
Zyrtari i Ministrisë së Jashtme, Shamil Alserov thotë se ndonëse kjo është një periudhë e begatë për Azerbaxhanin, qeveria e di se duhet të përqëndohet tek e ardhmja.
"Tani që shijojmë këtë shtim të të ardhurave nga nafta, duhet të kujdesemi për zhvillimin e vendit, ta diversifikojmë ekonominë, për të patur një ekonomi të qëndrueshme, edhe në se çmimet e naftës bien."
Alserov përmend rrugët e reja, urat dhe projektet arsimore, si shenjë për një përparim të qëndrueshëm. Por jashtë qytetit, ka zona me papunësi të lartë dhe pakënaqësi.
...Në fshatin Nardiram, njerëzit protestojnë kundër një plani qeveritar për t’i dhënë fund subvencionimit të energjisë elektrike nga shteti. Vugar Bairamov, i Qendrës së Zhvillimit Ekonomik dhe Social në Baku, mendon se në Azerbaxhan po shtohet hendeku mes të pasurve dhe të varfërve.
"Njerëzit kanë paga të ulëta. Në të njëjtën kohë, ata duhet të paguajnë çmimet e larta për ritmin vjetor të inflacionit, që është 20 për qind. Të varfërit po varfërohen ndërsa të pasurit po pasurohen më tepër..."
Bairamov dhe të tjerë thonë se Azerbaxhani duket se po bie në një gjendje të njohur për vendet prodhuese të naftës. Fluksi i pasurisë nga nafta çon në lakmi dhe korrupsion në radhët e elitës, ndërsa të varfërit përjashtohen nga ky proces, kështu fillojnë trazirat...
Ilgar Mamadov i Institutit të Kërkimeve Politike në Baku, thotë se vetëm me një aleancë më të afërt me Perëndimin dhe duke respektuar standartet ndërkombëtare, Azerbazxhani dhe vendet fqinje mund të përparojnë përtej lulëzimit të përkohshëm dhe ciklit të bumit në industrinë e energjisë.
"Sa më tepër që integrohet në ekonominë globale, aq më e fuqishme do të jenë ekonomia e një vendi dhe gjithashtu pavarësia e tij. Pra, vende si Azerbaxhani, Gjeorgjia, Kazakistani dhe Turkmenistani, kanë një shans të veçantë ta arrijnë këtë dhe t’i përdorin burimet nga energjia për t’u integruar në ekonominë globale dhe për reformimin e ekonomisë."
Për të qenë të efektshëm, thotë Mamadov, ristrukturimi i ekonomisë duhet të vazhdojë krahas reformës së vërtetë demokratike.//lk