Autoritetet politike në Kosovë kanë uruar që viti i pavarësisë, siç ata e kanë quajtur vitin 2008, të hyjë në histori me njohjen e shtetit të ri të Kosovës. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në urimin e tij qytetarëve të vendit, tha se në vitin 2008 institucionet e Kosovës janë më të gatshme për pavarësinë e Kosovës dhe për të gjitha sprovat që mund të pasojnë vendimin për shpalljen e saj.
“Sot një vit prisnim që 2007 të hynte në histori si vit i pavarësisë së vendit tonë. Kjo ëndërr dhe ky përcaktimi i yni i hershëm do të realizohet në 2008, sigurisht. Jo dita e nesërme, jo një janari i vitit 2008, por një ditë që s'do të vonojë do ta ndajë historinë e Kosovës në dysh, në epokat para dhe pas pavarësisë. 2008 do të mbetet në histori si vit i pavarësisë të cilën me punë e djersë, jetë e gjak e kanë realizuar shumë breza njerëzish të mirë të Kosovës”, tha presidenti Sejdiu.
Në Kosovë zgjidhja e statusit politikë të saj shihet rrugë për zgjidhjen e shumë problemeve, përfshirë dhe ato të trashëguara nga e kaluara e Kosovës. Edhe ky vit po përmbyllet me fatin e pandriçuar të mijëra personave të zhdukur gjatë luftës. Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Pagjeturve të Kosovës shpreson se zgjidhja e statusit do të krijojë më shumë mundësi për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Haki Kosumi, kryetar i këtij asociacioni, shfaqi shpresën se në vitin 2008 do të mbyllet kaptina me e dhimbshme për familjarët e të pagjeturve. “Është e vërtetë se Kosova ka flijuar shumë për status dhe për pavarësi. Çështja e të pagjeturve nuk mund të jetë e ndarë nga kjo përpjekje dhe nga ky pretendim shekullor i popullit shqiptarë.... Moszgjidhja e statusit mund të jetë njëra nga pengesat që nuk ka lejuar t'i vihet pikë ose të përshpejtohet çështja e të pagjeturve. Shpresojmë se me zgjedhjen e statusit institucionet tona do t'i kenë duart më të lira dhe do të bëjnë përpjekje më të mëdha ta mbyllin këtë faqe të dhimbshme të kaluarës sonë...”, tha kryetari i Asociacioneve Familjare të të Pagjeturve të Kosovës.
Në fund të luftës në Kosovë janë regjistruar rreth 6 mijë persona të zhdukur, ndërsa tetë vjet pas mbarimit të luftës, në listat e të zhdukurve mbesin emrat e rreth 2 mijë personave, pjesa më e madhe e të cilëve shqiptarë të Kosovës. //ad//