Lidhje

Shqipëri 2007: Zhvillimet kryesore politike gjatë një viti të vrullshëm


Viti 2007 ishte një vit i trazuar, me zhvillime të vrullshme, ngjarje të rëndësishme dhe sfida të forta politike që u karakterizuan shpesh nga situata të një konflikti ekstrem. Janari ishte një vazhdim i tensionit të mbartur për zgjedhjet lokale. Ndërsa presidenti kishte fiksuar datën 20 për mbajtjen e zgjedhjeve, mosmarrëveshjet mes palëve që e kishin zanafillën në problemin e certifikatave, mbajtën gjithshka pezull. Vetëm dy ditët e para të vitit mbeten pushim. Menjëherë pozita dhe opozita rifilluan bisedimet mes tyre, ndërsa komuniteti ndërkombëtar u përfshi në përpjekje të ethshme për të çuar drejt një konsensusi. Më 8 janar presidenti i atëhershëm Alfred Moisiu shfaqet publikisht me një qëndrim të ashpër ndaj klasës politike: “Me një sjellje të pashembullt, që reflekton sa papërgjegjshmëri dhe arrogancë, aq edhe mungesë vullneti dhe besimi reciprok, klasa politike ka dështuar në gjetjen e konsensusit,” tha ai.

Të nesërmen ai thërret tryezën e partive. Për disa ditë me radhë ambientet e presidencës presin e përcjellin përfaqësuesit e forcave politike. Por në kulmin e tyre, më 11 janar kryeministri Sali Berisha takohet me ish kryetarin socialist Fatos Nano në Pallatin e Brigadave, pallatin presidencial, ku zoti Nano synon të futet në korrik. I rishfaqur pas një mungese 18 mujore në krah të ish armikut të tij tradicional politik, zoti Nano nuk përkrah variantin e opozitës.

Takimi sjell një ngecje të bisedimeve që zhvilloheshin në presidencë. Ato do të rinisin të nesërmen në mesnatë mbi një variant kompromisi të ofruar nga presidenti. Në orët e para të mengjesit të datës 13 arrihet marrëveshja.

Situata zhbllokohet. Presidenti dekreton datën e re të zgjedhjeve, 18 shkurt. Nis beteja elektorale. E gjithë vemendja përqëndrohet në Tiranë ku përballet kryetari socialist Edi Rama dhe kandidati demokrat Sokol Olldashi i cili dha dorëheqjen nga ministër i brendshëm. Zoti Rama rikonfirmohet për herë të tretë me një diferencë të ndjeshme votash, ndërsa Partia Socialiste merr qytetet më të mëdha të vendit. Demokratët megjithatë këmbëngulin se në total ata janë fituesit e zgjedhjeve. Por përtej këtij debati vendi humbi në vlerësimin për standartet. Kreu i vëzhguesve Jorgen Grunet të nesërmen dha këtë përkufizim: “Zgjedhjet përfaqësojnë një shans të humbur”.

ZGJEDHJA E PRESIDENTIT

Një tjetër debat i ashpër që do të konsumojë shumë energji hapet me çështjen e presidentit të ri të vendit. Demokratët avancojnë të parët kur shpallin zyrtarisht kandidaturën e nënkryetarit të tyre Bamir Topi: “Zoti Topi i përmbush të gjitha kushtet, dhe është politikani që i përmbush të gjitha kriteret” - deklaroi më 7 Mars Gazmend Oketa, zëdhënës i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Por opozita kërkon zgjidhje me konsensus duke kërcënuar për zgjedhje të parakohshme. Debati zgjat katër muaj. Në skenë ka hyrë ish kryetari socialist Fatos Nano. Nga sulmues i ashpër i zotit Rama, ish lideri socialist detyrohet të shkelë në partinë e tij e të takohet me të. Ai përfshihet në kandidaturat e së majtës, por bashkë me 7 emra të tjerë.

Në qershor nisin bisedimet mes palëve të cilat kulmojnë me takimin mes krerëve të partive që shohin uljen për herë të parë përballë njëri-tjetrit të kryeministrit dhe kreut të opozitës. Arrihet konsensusi për emrin e një gjenerali, por pak orë para shpalljes zoti Berisha tërhiqet. Nënkryetari Bamir Topi, i tërhequr me zemëratë nga gara, thirret sërish si i vetmi shpëtim i së djathtës. Zoti Nano regjistrohet si kandidat pa pëlqimin e partisë së tij, por del shpejt nga loja pas hyrjes në garë të kryetarit të Alencës Demokratike, Neritan Ceka. Hakmarrja e tij nuk vonon ndaj partisë së vet. Në raundin e katërt, mbështetësit e tij përcaktojnë presidentin e ri duke votuar hapur në favor të zotit Topi, i cili shpallet president më 20 Korrik me 85 vota.

Shumica fiton një betejë shumë të rëndësishme duke forcuar pozitët e saj.Opozita reagon ashpër: “Për sot Bamir Topit mund t’i them vetëm se duhet t’i vijë turp duke e siguruar se kur ta meritojë fjalën e mirë të opozitës ajo nuk do t’i mungojë”, deklaron Edi Rama, kryetar i PS.

Megjithatë të majtët nuk do ta refuzojnë presidentin i cili që në ditët e para pret në takime të vecanta të gjithë përfaqësuesit e saj: “Presidenti i ri e meriton dhe e ka të drejtën e provës”, shprehet zoti Rama pas takimit me presidentin.

Presidenti thërret tryezën e partive politike për reformën në drejtësi e sërish duke ulur bashkë të gjitha palët. Por kjo marrëdhenie e pazakontë për politikën shqiptare nuk do të zgjasë shumë.

ÇESHTJA SOLLAKU

Rihapja e çështjes Sollaku do ta thyejë paqen e përkohshme. Prokurori i Përgjithshëm gjatë gjithë vitit kishte qenë në shenjestër të akuzave të kryeministrit. Zgjedhja e zotit Topi u pa automatikisht si fundi i kapitullit për zotin Sollaku. Presidenti i ri që në ditët e para i kërkon atij dorëheqjen. Në pamundësi për të vepruar për shkarkimin, propozon ngritjen e një komisioni të dytë hetimor si e vetmja mundësi që ai të ndërhynte.

Pak javë më pas, më 15 tetor, demokratët paraqesin propozimin në parlament. Komisioni i dytë ngrihet pa pjesmarrjen e opozitës. Në një kohë rekord, brenda një jave, mbaron punë. “Shkeljet e ligjit nga ana e prokurorit të përgjithshëm vlerësohen nga ana e këtij komisioni, si shkelje të rënda në kuptimin kushtetues dhe me pasoja serioze për vendin, sistemin e drejtësisë dhe për shtetin ligjor dhe si të tilla përbëjnë shkak për të kërkuar shkarkimin e Prokuorirt të Përgjithshëm,” deklaron Komisioni.

Parlamenti i mbledhur po ashtu me shpejtësi voton pak ditë më pas kërkesën për shkarkim. Mbetet vetëm firma e presidentit Topi. Kreu i shtetit nuk nxitohet, pret disa javë. Më 21 nëntor në Bruksel në konferencë shtypi me zotin Solana, ai deklaron se raporti i ekspertëve të thirrur prej tij është në përfundim e sipër. Pa kaluar 24 orë, të nesërmen në mëngjes firmos shkarkimin. Ina Rama është kryeprokuroja e re. Kapitulli Sollaku mbyllet, por në raportet e presidentit me opozitën hapet një e çarë e madhe.

QEVERIA

Zgjedhja e presidentit dhe çështja Sollaku ishin dy fitoret e medha politike të së djathtës. Por zgjedhjet e 18 shkurtit ndikuan, ndonëse nuk u pranua si motivim, në ndryshimet e para brenda qeverisë Berisha. “Qeveria do të ketë ndryshimet e veta”, deklaron më 26 shkurt kryeministri.

Ato do të bëhen pas disa javësh, më 12 mars. Numri i dy qeverisë, Ilir Rusmali zbret një shkallë më poshtë dhe zëvendëson në Drejtësi ministrin Aldo Bumçi. Gazmend Oketa emërohet zëvendëskryeministër, ndërsa ministri i shëndetësisë sakrifikohet për përfshirjen në qeveri të demokristianëve.Ndryshimet përfshijnë edhe turizmin e Ministrinë e Integrimit, ndërsa zoti Bujar Nishani merr Ministrinë e Brendshme.

Një tjetër lëvizje e detyruar provokohet nga dorëheqja e papritur e ministrit të jashtëm Besnik Mustafaj: “Jam i lodhur, lodhja është një motiv i mjaftueshëm”, shprehet ministri i dorëhequr më 24 Prill. Por në të vërtetë në thelb qëndron një konflikt i gjatë me kryeministrin Berisha, të cilin ai që prej këtij momenti nuk do ta konsiderojë më si mikun e tij të vjetër. Diplomacia i kalon ministrit Lulëzim Basha dhe në kabinet rikthehet Sokol Olldashi.

Një tjetër ndryshim i detyruar ndodh në nëntor kur ministri i Drejtësisë Ilir Rusmali jep dorëheqjen pas një konflikti me drejtorin e burgjeve dhe një bisede të përgjuar ku vëllai i ministrit kërkone favorizim për një tender. Në vend të tij hyn Enkelejd Alibeaj.

Ndërsa në shtator nis një valë arrestimesh që kulmojnë me Zëvendësministrin e Transporteve dhe të disa zyrtarëve të tjerë për korrupsion, në tetor Prokuoria e Përgjithshme kërkon heqjen e imunitetit për ministrin Basha për çështjen e rrugës Rrëshen-Kalimash. Ministri deklaron më 15 tetor: “Edhe sikur organet e tjera ta lënë këtë punë për gjysëm, ju garantoj me fjalën time të nderit se unë nuk do ta lë deri sa të zbardhet e vërteta.

Shumica, me ndërrimin e prokurorëve, vendos në fund të dhjetorit, me një gjest politik që t’i hiqet imuniteti.

OPOZITA

Zhvillime të vrullshme pati edhe në gjirin e opozitës. Përveç marrëdhënieve shpesh problematike me aleatët, në Partinë Socialiste hija e ish kryetarit Fatos Nano provokoi herë pas here përplasje të brendshme. Ai sulmon në mënyrë të përsëritur pasuesin e tij Edi Rama. Ky i fundit eviton perfshirjen në debat, por konsolidon pozitat e tij duke afruar procesin e zgjedhjes së kryetarit të partisë nga vjeshta në maj. Vendimi u mor në një kongres të zhvilluar në prill ku përkrahës së zotit Nano u përpoqën ta pengonin.

Zoti Nano foli për një dhunë politike ndaj delegatëve të kongresit të cilët i ishin drejtuar atij: “Vlerësimi i tyre kritik kryesor ishte: Na morën partinë. Eja baba të na shpëtosh”, tregon zoti Nano.

Përplasja sjell dorëheqjen e Sekretarit të Përgjithshëm Pandeli Majko. Zoti Rama vazhdon rrugën e tij. Me parimin një anëtar një votë, më 12 Maj, ai zgjidhet me një mbështetje të madhe kryetar i partisë.

Çarja e madhe do të vijë me rastin e zgjedhjes së presidentit. 6 deputetët që votuan për zotin Topi përjashtohen. Për herë të parë sulmi ndaj ish kryetarit është direkt: “Përfitoj nga rasti që të komunikoj për projektin politik të Partisë Socialiste, pjesë e të cilit zoti Nano nuk është”.

Ai ndërmerr një tur në të gjithë Shqipërinë. Paralel edhe Zoti Nano nis në vjeshtë takime në disa qytete, por në ndryshim nga më parë me një ndikim të rënë.

KRIZA ENERGJITIKE

Përtej politikës, ajo që shënoi thuajse çdo ditë jetën e shqiptarëve ishte mungesa e energjisë. “Ne pa dyshim ndjejmë përgjegjësi të plotë politike dhe morale që premtuam se do të kemi një dimër me kufizime minimale”, – deklaron ministri i ekonomisë dhe energjitikës Genc Ruli më 9 janar.

Por ndjesa e tij nuk ndryshoi gjë për muajt që pasuan. Përkundrazi, për herë të parë vendi përjetoi edhe gjatë gjithë verës një krizë të rëndë, për shkak edhe të një thatësire ekstreme. Korporata në mars ndryshoi drejtorin e saj Andi Beli, i cili la pas një ndërmarrje problematike. Por për këtë autoritetet nuk do të flasin, e do të jetë misioni i Fondit Monetar që do të shfaqë publikisht shqetësimin. Qeveria ndërmerr një seri hapash duke dhënë me koncesione hidrocentrale të vegjël dhe duke projektuar ndërtimin e të rinjve si dhe të termocentraleve. Por të gjitha këto masa i shërbejnë së ardhmes. Deri në vitin 2009, siç pohon edhe Enti Rregullator i Energjisë, vendi do të vazhdojë të jetë në mëshirën e reshjeve të shiut: “2007-2009 kur ende nuk është futur në punë TEC-i i Vlorës dhe linja e interkonjeksionit e Nënstacioni i Kasharit, ne kemi përsëri predispozitë të lartë për të patur kriza”.

PRESIDENTI BUSH NE TIRANE

Viti 2007 shënoi një ngjarje historike për Shqipërinë, vizitën në Tiranë, më 10 qershor, të presidentit amerikan Xhorxh Bush, e para e një presidenti të Shteteve të Bashkuara. Presidenti amerikan shfrytëzoi qëndrimin në Tiranë për të shprehur në mënyrë të qartë e të prerë se çështja e Kosovës do të mbyllet me pavarësinë e saj. Fundi i vizitës së tij do të shënojë një moment të veçantë me pritjen e rrallë që presidentit amerikan i bëhet në Fushë-Krujë. Këto imazhe do të bëjnë xhiron e botës. //ii

XS
SM
MD
LG