Lidhje

Prishtina: Serbia nuk mund të vendosë për fatin e Kosovës


Udhëheqësit e shqiptarëve të Kosovës e cilësuan si pjesë të agresioneve kushtetuese kundër Kosovës, rezolutën e miratuar mbrëmë nga parlamenti i Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës.

Në atë rezolutë, parlamenti i Serbisë ka kërcënuar se do të presë lidhjet diplomatike me vendet që mund ta njohin pavarësinë e Kosovës, ndërsa hidhet poshtë ideja e vendosjes së misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë. Rezoluta paralajmëron ndërprerjen e procesit të integrimit të Serbisë në këtë bashkim.

Përfaqësuesit e Prishtinës thanë se ky veprim nuk mund të ndikojë në pavarësinë e vendit. Presidenti I Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se bëhet fjalë për një vendim që nuk është as në interes të Serbisë, e as të rajonit. “Unë mund të them se është një qasje që Serbia e ka provuar edhe në fazat apo periudhat e mëhershme në tipin e agresioneve që ajo i bënë ndaj Kosovës pra edhe në këtë nivel të qasjeve kushtetuese pa të drejtë dhe pa bazë. Serbia s'është ajo që mund të vendosë për fatin e Kosovës", tha ai.

Presidenti Sejdiu tha se një politikë e tillë që udhëheqë Serbia ka shkaktuar zhvillime të përgjakshme në Kosovë por edhe tek popujt e tjerë. “Dhe nëse ata e kanë zgjedhë rrugën e intervenimit ushtarak apo formave të tjera që ata i quajnë me ndërhyrjet që sjellin konflikt të ri, natyrisht se kanë me kë të përballen. Në Kosovë ekziston një protektim i gjithë qytetarëve të saj, i kufijve të saj, integritetit të saj nga bashkësia ndërkombëtare, nga trupat e NATO-s por edhe nga qytetarët e Kosovës. Prandaj ne nuk jemi për luftë dhe konfronte. Nga ana jonë do të jenë gjithmonë mesazhet për paqe dhe një të ardhme të bashkëpunimeve rajonale”, tha presidenti Sejdiu.

Kryetari i Partisë Demokratike Hashim Thaçi, tha shkurt se Serbia nuk mund të ushtrojë më ndikim mbi realitetin në Kosovë. “Është çështje e Serbisë por veprimet e Beogradit kurrë nuk do të ndikojnë në reflektimet dhe realitetin kosovar", tha zoti Thaçi

Për analistët Rezoluta e Parlamentit serb është përpjekja e fundit e Beogradit që të pengojë pavarësimin e Kosovës. Përfaqësuesit politikë të Prishtinës kanë paralajmëruar një vendim të shpejtë për pavarësinë e Kosovës pas dështimit të përpjekjeve për të arritur një marrëveshje për zgjidhjen e statusit politik të saj. Ata kanë nënvizuar se një vendim i tillë do të merret në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

Beogradi i cili mbështetet në qëndrimet ruse kundër pavarësisë së Kosovës ka akuzuar në veçanti Shtetet e Bashkuara se sic thuhet, po pengojnë arritjen e një marrëveshjeje duke mbështetur aspiratat e shqiptarëve për pavarësi.

Rezoluta e mbrëmshme e Parlamentit të Serbisë është kundërshtuar edhe nga Misioni i Kombeve të Bashkuara zyrtarët e të cilit thanë se kjo Rezolutë nuk do të ketë asnjë ndikim mbi Kosovën. //bsa//

XS
SM
MD
LG