Dhuna në pjesë të ndryshme të botës dhe debatet mbi ngrohjen globale ishin ndër ngjarjet kryesore për vitin 2007. Por le t’i hedhim tani një vështrim vitit që po mbyllet dhe episodeve më të rëndësishme që pamë gjatë tij.
Lufta në Irak ishte ndër temat tona kryesore për vitin 2007. Dërgimi i 30 mijë trupave amerikane shtesë ka bërë që në Irak të arrihen suksese, sipas gjeneralëve dhe diplomatëve amerikanë.
"Megjithëse gjendja në Irak vazhdon të jetë komplekse, e vështirë dhe ndonjëherë mjaft zhgënjyese, unë besoj gjithashtu se është e mundur që me kalimin e kohës ne t’i arrijmë objektivat tona në Irak, ndonëse kjo nuk do të jetë as e shpejtë dhe as e lehtë," thotë Gjeneral David Petraeus.
Por shumë ligjvënës amerikanë vazhdojnë të shprehin shqetësim për vazhdimin e dhunës kudo në Irak, si kongresmeni demokrat John Murtha. "Kur flasim për fitore, flasim për stabilitet, të cilin nuk e kemi në Irak," thotë zoti Murtha.
Lufta e Amerikës në Irak dhe përdorimi atje i forcave private të sigurimit janë bërë objekt debatesh si brenda edhe jashtë vendit. Një incident që qeveria irakiane e quajti të paprovokuar, shkaktoi vdekjen e 17 civilëve irakianë.
2007-a shënoi gjithashtu ndryshime të mëdha në rajone të tjera të Lindjes së Mesme ku luftimet mes grupeve rivale palestineze në thelb shkaktuan ndarjen më dysh të territoreve palestineze. Aktualisht, Hamasi kontrollon Rripin e Gazës ndërsa Fatahu Bregun Perëndimor. Presidenti palestinez Mahmoud Abbas dhe Kryeministri izraelit Ehud Olmert morën pjesë krahas Presidentit Bush në një konferencë të organizuar nga Shtetet e Bashkuara në Annapolis të shtetit Maryland, në të cilën zoti Abbas dhe zoti Olmert ranë dakord të paktën për një kornizë për arritjen e paqes
"Ky do të jetë një proces jashtëzakonisht i vështirë për shumë prej nesh por ai është i pashmangshëm. Unë e di këtë, shumë izraelitë e dinë këtë dhe ne jemi të përgatitur për të!" theksoi në konferencë kryeministri izraelit Ehud Olmert.
Frika se Irani mund të bëhet fuqi bërthamore vazhdoi të jetë një shqetësim i madh për shumë vende. Megjithë publikimin e një raporti të zbulimit amerikan ku thuhej se në vitin 2003 Irani kishte hequr dorë nga përpjekjet për të prodhuar bombën bërthamore,
Presidenti Bush deklaroi se Irani mbetet i rrezikshëm. "Mendoj se raporti i zbulimit e bën të qartë se Irani duhet të merret seriozisht si kërcënim për paqen. "
Presidenti iranian Mahmoud Ahmadinejad e quajti raportin amerikan të zbulimit një fitore për Iranin “kundër fuqive botërore." Por më pas ai u shpreh: "Ne e quajmë këtë masë të qeverisë amerikane një hap pozitiv."
Për njërin prej fqinjëve të Iranit, Pakistanin, ishin më tepër konfliktet e brendshme se sa ato të jashtëme që përbënë ngjarjet kryesore për vitin 2007. Udhëheqësi ushtarak i Pakistanit, Presidenti Pervez Musharraf, më në fund pranoi të largohet posti i shefit të ushtrisë por vendimi i tij në muajin nëntor për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme i thelloi dyshimet rreth së ardhmes demokratike të vendit.
Në Birmani, një tjetër protestë popullore për ndryshim u prit me masa akoma më të ashpra nga regjimi në fuqi. Forcat ushtarake shtypën me forcë demonstratat e udhëhequra nga murgjët budistë. Më pas, një i dërguar i OKB-së tha se faktet tregojnë që Birmania e ka fshehur numrin e vërtetë të viktimave dhe të personave të ndaluar.
Në Rusi, Partia Rusia e Bashkuar e Presidentit Vladimir Putin pati përballë një opozitë të dobët në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit dhe më pas zoti Putin shpalli planet e tij për të ardhmen, duke thënë se kur të largohet nga posti në muajin mars, dëshiron që vendin e tij ta zerë zëvendëskryeministri i parë, Dimitry Medvedev. Nga ana e tij, zoti Medvedev tha se do të dëshironte që zoti Putin të jetë kryeministër.
Përpjekjet e një tjetri udhëheqës për të zgjeruar pushtetin rezultuan jo dhe aq të suksesshme. Votuesit në Venezuelë i dhuruan Presidentit Hugo Chavez një disfatë elektorale - e para pas 9 vjetësh – duke mos pranuar reformat kushtetuese që do ta kishin lejuar atë të qendronte në pushtet për më shumë se dy mandate. Venezuela është një ndër eksportuesit kryesorë të naftës në botë.
Gjatë vitit 2007, çmimet e naftës bruto arritën shifra rekord, për shkak të shtimit të kërkesës nga ekonomitë me rritje të shpejtë, si Kina dhe India. Lufta dhe trazirat në vendet prodhuese të naftës ndikuan gjithashtu në rritjen e çmimit.
Dhuna në Sudan mbetet një nga shqetësimet humanitare më të mëdha. Rajoni i Darfurit vazhdon të jetë i pllakosuar nga konflikti i pakontrolluar dhe diplomacia nuk ka patur sukses në ndaljen e tij. Gjatë 4 viteve të fundit, të paktën 200 mijë njerëz kanë vdekur dhe miliona të tjerë kanë mbetur pa strehë. Veprimtarët e të drejtave të njeriut i kanë kërkuar Kinës të pakësojë blerjen e naftës nga Sudani për të ushqyer ekonominë e saj.
Ndërkohë, bumi ekonomik kinez po ngjall shqetësime për çlirimin e dioksidit të karbonit në atmosferë që shumë shkencëtarë mendojnë se shkakton ngrohjen globale. Këto shqetësime i kanë bërë zyrtarët ndërkombëtarë dhe ambjentalistët të përpiqen për të hartuar kritere të reja që shkojnë përtej caqeve të Protokollit të Kiotos, të cilit i mbaron afati në vitin 2012. Ky traktat u kërkon vendeve të pasura të pakësojnë çlirimin e gazeve të efektit serrë në masën 5 përqind krahasuar me nivelet e vitit 1990. //ad//