Lidhje

SHBA: Në prag të zgjedhjeve paraprake në Iowa


Pasi kanë dëgjuar për muaj me radhë fjalime dhe premtime gjatë fushatës, votuesit amerikanë do të kenë rastin të votojnë për herë të parë më 3 janar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008 në shtetin mesperëndimor të Iowa-s. Votimet paraprake në Iowa janë hapi i parë për emërimin e kandidatëve demokratë dhe republikanë për të cilët do të votohet në nëntor.

Pas disa muajsh mitingjesh, ka ardhur radha të dëgjohet zëri i votuesve dhe ekspertët thonë se ata mund të jenë në kërkim të ndryshimeve. Karlyn Bowman analizon sondazhet e opinionit për Institutin Amerikan Enterprise. ”Duket qartë se ka një dëshirë për ndryshime në opinionin publik. Presidenca Bush nuk ka qënë e sukseshme për mendimin e shumicës së amerikanëve, prandaj ata janë gati të mendojnë për diçka të re”. Për demokratët e gjëja e re mund të ishte Senatori demokrat Barack Obama nga Illinoi. ”Unë nuk dua të sjell ndryshime slloganesh. Unë dua të sjell ndryshime bindëse”.

Shumica e sondazheve të opinionit tregojnë se Senatori Obama është në një garë të ngushtë në Iowa me Senatoren Hillary Clinton nga New York-u dhe ish Senatorin John Edwards nga Karolina e Veriut. Senatorja Clinton ka që në për një kohë të gjatë në krye të garës.

Por një disfatë në Iowa në votimet paraprake mund t’i hapë rrugë betejës për emërimin e kandidatit të demokratëve për president. Për të treguar superioritet ndaj Senatorit Obama, Senatorja Clinton thekson përvojën e saj si anëtare e Kongresit dhe ish zonjë e parë e Shteteve të Bashkuara. ”Ndryshimi mbetet fjalë boshe në qoftë se nuk ke forcën dhe përvojën që ta vësh në zbatim. Besoj se unë i kam këto cilësi”.

Ekspertët thonë se zoti Edwards ka shanse të mira në Iowa pasi në vitin 2004 ai doli i dyti atje. Kandidatët demokratë që udhëheqin garën, e kanë përqendruar atë në zgjedhjen mes përvojës dhe ndryshimeve. Analistja Karlyn Bowman thotë: "Duket qartë që Obama është kandidati që po përfiton nga ndryshimet. Kjo ka qënë motoja e fushatës së tij gjatë gjithë fushatës. Ai është figurë e re. Ai është ndryshe. Ne e njohim shumë mirë Hillary Clinton-in. Në qoftë se këto cilësi do t’i forcojnë pozitat e tij në Iowa, mbetet për t’u parë”.

Gara për emërimin e kandidatit të partisë republikane për president duket edhe më e paparashikuar. Në javët e fundit, ish Guvernatori i shtetit Arkansas, Mike Huckabee, ka dalë në krye të garës, siç tregojnë anketat në Iowa dhe në Karolinën e Veriut. "Ata besojnë se ajo që them unë është e vërtetë, e vërtetë në zemrën dhe në bindjen time”. Zoti Huckabee ka avancuar duke lënë mbrapa edhe ish Guvernatorin e shtetit Massachusetts, Mitt Romney, i cili ka qënë në krye të garës në Iowa për muaj me radhë. Huckabee po avancon edhe në anketat kombëtare, ku ka qënë në krye ish

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Rudy Giuliani. Anketat tregojnë se votuesit vlerësojnë mënyrën se si Giuliani i trajtoi sulmet terroriste të11 shtatorit. Por konservatorët republikanë nuk i mbështesin pikpamjet e tij të moderuara për çështjet sociale si aborti, të drejtat e homoseksualëve dhe kontrolli i armëmbajtjes. Zotit Giuliani i është dashur të mbrojë edhe mënyrën e jetesës së tij private. Por ai ka besim për shanset e tij. “Duhet të jesh optimist nëse do të zgjidhesh. Nuk mund të udhëheqësh nëse je pesimist. Nuk mund t’i udhëheqësh njerëzit duke e mbajtur kokën poshtë dhe duke menduar për të keqen”. Rruga për në Shtëpinë e Bardhë kalon nëpër shtetin e Iowa-s në muajin janar dhe pastaj në New Hampshire, Nevada dhe në Karolinën e Jugut, para se të mbërrijë kulmin më 5 shkurt, kur 20 shtete do të zhvillojnë zgjedhje paraprake. //rd//

XS
SM
MD
LG