Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov tha se vendi i tij synon të përdorë fuqinë e tij politike në Kombet e Bashkuara për të parandaluar planet e Perëndimit për të njohur pavarësinë e Kosovës.
Zoti Lavrov i bëri këto komente sot në një seri intervistash me median ruse.
Ministri i jashtëm rus tha se Bashkimi Evropian mund të zëvëndësojë Kombet e Bashkuara si administrator i Kosovës, por vetëm me miratimin e Begradit dhe në bazë të një rezolute, që njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën.
Javën e kaluar, udhëheqësit e Bashkimit Evropian votuan për të dërguar në Kosovë një forcë policore dhe të sigurimit prej 1 mijë e 800 trupash Prishtina pritet të shpallë pavarësinë në mënyrë të njëanshme nga Serbia brënda disa javësh dhe shumë fuqi perëndimore pritet ta njohin atë.
Ministri i jashtëm Lavrov tha se Rusia do të përpiqet në Kombet e Bashkuara që të bllokojë çdo hap që Perëndimi planifikon të ndërmarë pasi Kosova të shpallë pavarësinë. Rusia, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka fuqi vetoje.
Të mërkurën Këshilli i Sigurimit nuk arriti të sheshonte mosmarrëveshjet mes shqiptarëve të Kosovës, të cilët kërkojnë pavarësi të plotë nga Serbia, dhe Beogradit, i cili ka ofruar autonomi të gjerë për Kosovën me shumë elementë të një shteti, por këmbëngul të ruajë sovranitetin mbi këtë territor. (ze)