Këshilli i Sigurimit nuk arriti të zhbllokonte dje situatën për statusin e Kosovës. Ndërkohë që vendet perëndimore anëtare të Këshillit thanë se nuk mund të gjendet një zgjidhje brenda Këshillit, ato thanë se do të marri përgjegjësitë e tyre. Rusia nga ana tjetër tha se negociatat duhet të vazhdojnë. Mungesa e një marrëveshjeje ka rritur shqetësimet për një përplasje me Serbisë dhe aleatëve të saj përfshirë Rusinë nga njëra anë dhe përkrahësve të pavarësisë së Kosovës, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nga ana tjetër:
Pas takimit të djeshëm në Këshillin e Sigurimit, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara thanë se nuk ka më asnjë mundësi për marrëveshje për shkak të qëndrimeve të papajtueshme lidhur me sovranitetin mbi Kosovën.
“Shtetet e Bashkuara, evropianët dhe të tjerë janë të vendosur të ecin përpara me zbatimin e planit Ahtisaari, për të mos lejuar situatën në Kosovë të dalë jashtë kontrollit dhe të kërcënojë paqen dhe qëndrueshmërinë”, tha ambasadori i Shteteve të Bashkuara në OKB, Zalmai Khalilzad.
Ministri i jashtëm italian, Massimo d’Alema foli në cilësinë e Kryetarit të radhës së Këshillit të Sigurimit.
“Anëtarët e Këshillit të Sigurimit u bënë thirrje palëve që të ruajnë paqen dhe të mos ndërmarrin veprime që mund të rrezikojnë sigurinë në rajon, duke kujtuar që gjatë negociatave të dyja palët e kishin marrë këtë angazhim pa kushte”.
Ambasadori belg Johan Verbeke, foli në emër të vendeve perëndimore të Këshillit të Sigurimit:
“Ne mendojmë se është e qartë se çdo lloj negociatash të tjera në këtë ose ndonjë tjetër format nuk do të ndryshonin asgjë. Kështuqë ne mbështesim pikëpamjen e negociatorëve të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara në treshe se nuk ka më asnjë mundësi për një zgjidhje përmes negociatave”.
Në deklaratën që lexoi në emër të vendeve perëndimore të Këshillit, thuhej se do të kishte qenë e dëshirueshme që Këshilli i Sigurimit të luante rolin e tij, po tani që është e pamundur shtoi ai “ne do të mbajmë përgjegjësitë tona”.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se takimi i jepte fund një cikli të rëndësishëm. Ai tha se kosovarët janë të gatshëm të shkojnë drejt pavarësisë.
“Për ne është shumë me rëndësi se do të kemi një përkushtim të veçantë në ndërtimin e një shteti të pavarur dhe sovran, i cili do të jetë shtet modern mbi parimet perëndimore dhe shtet që do të jetë i gjithë qytetarëve. Andaj dëshirojmë që edhe me Serbinë nesër të kemi marrëdhënie të mira, mbi bazë të idesë që kemi dhënë për traktatin për paqe dhe fqinjësi të mirë”.
Por Kryeministri serb Vojislav Kostunica tha se gjatë takimit të Këshillit të Sigurimit, Serbia këmbënguli që bisedimet të vazhdonin. Ai paralajmëroi për një fazë të rrezikshme në marrëdhëniet ndërkombëtare nëse Këshilli i Sigurimit e lejon Kosovën të deklarojë në mënyrë të njëanshme paavrësinë. Një veprim i tillë tha ai dhunën kartën e OKB-sëç dhe vetë rezolutën për Kosovën.
“Serbia e mbrojti me vendosmëri tërësinë territoriale dhe sovranitetin e saj. Ne mbrojtëm gjithashtu idenë se negociatat nuk mund të ndalohen, ose bllokohen. Këshilli i Sigurimit duhet të përkushtohet për gjetjen e një kompromisi. Cila është alternativa ndaj respektimit të ligjit ndërkombëtar”.
Por si ambasadori amerikan Khalilzad ashtu edhe ambasadori britanik John Sawers thanë se rezoluta 1244 e lejon zbatimin e planit Ahtisaari.
Ambasadori rus Vitaly Churkin thotë se negociatat kanë qenë të suksesshme në mbylljen e hendekut për të gjitha çështjet, përveç asaj të sovranitetit.
“Elementi i ri ishte që ne propozuam në takim hartimin e një plani në mbështetje të negociatave mes dy palëve dhe që do të merrte parasysh edhe interesat e faktorëve kryesorë ndërkombëtarë për çështjen e Kosovës dhe që do të na bënte ta përqendronim vëmendjen tek arritja e suksesit në Kosovë, përfshirë suksesin në negociata”.
Ai tha se Rusia beson se vazhdimi i negociatave mund të sjellë një rezultat të pranueshëm dhe do të ruante qëndrueshmërinë në Ballkan.//kk//