Ish i dërguari i Shteteve të bashkuara në Ballkan, ambasadori Robert Gelbard, thotë se nuk ka asnjë dyshim që Kosova do të jetë e pavarur. Ai i bën thirrje popullit të Kosovës të shmangi dhunën dhe të tregojë në mënyrë paqësore dhe demokratike se është i gatshëm për pavarësinë. Nga ana tjetër, ambasadori Gelbard thotë se Rusia po e përdor popullin serb dhe çështjen e Kosovës si mjet për rivendosjen e ndikimit të saj në botë.
Zëri i Amerikës: Zoti ambasador, pas dorëzimit të raportit tek Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së. Cili është hapi i ardhshëm për Kosovën?
Ambasadori Gelbard: Zgjidhja më e mirë do të ishte sikur Këshilli i Sigurimit të miratonte njëzëri planin Ahtisari. Por, Rusia ka vendosur të luajë një rol shumë negativ në këtë çështje. Ёshtë thuajse e sigurt që Rusia do të verë veton, megjithëse ne shpresojmë për një abstenim. Kosova do të jetë e pavarur, nuk ka dyshim për këtë, por kjo do të bëhet në mënyrë tjetër dhe pastaj të njihet de fakto si dhe de jure.
Zëri i Amerikës: Nëse çështja e përcaktimit të statusit shtyhet, a mund të presim reagime ekstreme në Kosovë?
Ambasadori Gelbard: Ёshtë shumë e rëndësishme që kosovarët të tregojnë seriozitetin e tyre duke iu shmangur dhunës. Nuk ka dyshim se ata do ta marrin pavarësinë, por dhuna do t’u shërbente interesave të qeverisë së Koshtunicës, Rusisë dhe kundërshtarëve të tjerë. Ata duhet të tregojnë se janë me të vërtetë demokratikë dhe se duan të krijojnë institucione demokratike në mënyrë paqësore.
Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se mbështesin planin Ahtisari nëse nuk arrihet një marrëveshje me Rusinë. Çfarë reagimesh priten nga Moska, Beogradi dhe serbët e Kosovës?
Ambasadori Gelbard: Qeveria e Koshtunicës nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret dhe nuk ka dhënë asnjë shenjë vullneti të mirë ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës. Njerëzit rreth zotit Koshtunica madje kanë mbështetur edhe luftën. Edhe vetë Koshtunica ka folur me një retorikë fyese për një shtet-kukull të NATOs si dhe kundër Shteteve të Bashkuara dhe perëndimit. Nëse ai vërtet e mendon këtë, atëherë Serbia duhet të konsiderojë tërheqjen nga partneriteti për paqe. Retorika e dhunshme që po përdorin ata nxit grupet ekstremiste në Serbi dhe në Kosovën veriore dhe kjo është shumë e rrezikshme. Kur shihet një retorikë e tillë dhe asaj i shtohet mungesa e bashkëpunimit për kapjen e kriminelëve të luftës si Mlladiç dhe Karaxhiç, si dhe asnjë veprim gjatë 6 muajve të fundit, ne duhet të rishikojmë nëse BE-ja duhet të nënshkruajë Marëveshjen e Stabilizim Asociimit me ta dhe nëse komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë ta afrojë Serbinë siç ka bërë deri tani. Ndërsa përgjigja e Moskës sigurisht që nuk do të jetë e dhunshme. Ato e shohin këtë si lojë shahu. Por këshilla ime për popullin serb është të mos mendojnë se Rusia po e bën këtë nga dashuria për ata, por thjesht për t’i përdorur si mjet në rivendosjen e ndikimit në botë.
Zëri i Amerikës: Krerët e BE-së do të takohen në Bruksel. A do të arrijnë të dalin me një qendrim të përbashkët?
Ambasadori Gelbard: Gjatë muajve të fundit ka pasur lëvizje pozitive në drejtim të qendrimit për pavarësinë dhe planin Ahtisari nga disa vende të mëdha si Spanja dhe Italia. Ende ka qendrime negative, si për shembull nga ana e Qipros dhe Greqisë. Por Bashkimi Evropian duhet të ecë përpara. Nëse BE-ja do të tregojë se është serioze dhe se është lojtare e rëndësishme në politikën e jashtme pas hapave të gabuar që mori në Ballkan në vitet 1990, atëherë ajo duhet të marrë vendim përmes shumicës ose njëzëri për zbatimin e planit Ahtisari, të fillojë një mision civil dhe të marrë pjesë në një mision ushtarak dhe policor për të ruajtur integritetin territorial të Kosovës.
Zëri i Amerikës: Udhëheqësit e Kosovës kanë thënë se nuk do ta shpallin pavarësinë pa koordinuar me SHBA-në dhe BE-në. A mund ta kontrollojnë ata popullsinë që përfaqësojnë për të shmangur trazira të mundshme?
Ambasadori Gelbard: Detyra e udhëheqësve është të udhëheqin. Këtë nuk e ka bërë Koshtunica. Ai ka udhëhequr në mënyrë të gabuar. Për udhëheqjen në Kosovë tani është koha të tregojë pjekurinë që ka fituar gjatë dekadës së fundit, duke mbajtur popullin të qetë, duke i siguruar ata se pavarësia do të vijë së shpejti dhe duke i bindur se duhet t’i shmangen dhunës. Kjo pjekuri do t’i japë atyre përfitime të jashtëzakonshme, sepse komuniteti ndërkombëtar do të shohë se shqiptarët kanë fituar pjekurinë e duhur dhe janë gati për pavarësinë. //iç//