Lidhje

Kongresi kërkon hetime për videot e shkatërruara nga CIA


Ligjvenësit amerikanë po kërkojnë të bëhen hetime për vendimin e CIA-s për të shkatërruar video-kasetat me regjistrime nga marrja në pyetje e të dyshuarve për terrorizëm.

Njoftimi për shkatërrimin e video-kasetave u dha të enjten nga CIA. Agjencia e pranoi këtë faktin, pasi kishte mësuar se gazeta Nju Jork Tajms po bëhej gati të botonte një artikull mbi të.

Drejtori i CIA-s, Majkëll Hajden e mbrojti vendimin e vitit 2005 për shkatërrimin e video-kasetave, duke thënë se ai u bë për të mbrojtur personelin e agjencisë. Ai shtoi se për këtë vendim ishin njoftuar personat e duhur në Kongres.

Disa ligjvenës e kanë vënë në dyshim pohimin se ishin njoftuar rreth shkatërrimit të kasetave. Disa anëtarë të komisionit që hetoi për sulmet terroriste të 11 shtatorit po ashtu thonë se nuk kanë dijeni për kasetat në fjalë, ndonëse ata kishin kërkuar që t’u jepeshin materiale të tilla, në se ato ekzistonin.

Grupet e të drejtave të njeriut kanë hedhur dyshime mbi shkatërrimin e kasetave, duke thënë se CIA zotëron miliona dokumente që mund të ekspozojnë identitetin e agjentëve të saj. Disa kanë hedhur akuza se vendimi mund të jetë shkelje ligjore, duke thënë se shkatërrimi i kasetave përbën shkatërrim provash dhe pengim të drejtësisë, të dyja akuza që dënohen nga kodi penal. //rd//

XS
SM
MD
LG