Lidhje

Grupi Ndërkombëtar i Krizave: SHBA, BE, të mbështesin pavarësisë e Kosovës, sipas planit Ahtisari


Grupi Ndërkombëtarë i Krizave thotë se pjesa e parë e vitit të ardhshëm është periudha kur Kosovës duhet t’i jepet pavarësia e mbikqyrur, siç është paraparë me propozimin e krye negociatorit të Kombeve të bashkuara Marti Ahtisaari. Në një raport të këtij grupi të publikuar sot, shpjegohet edhe rruga e zbatimit të këtij synimi.

Përfaqësuesi i këtij grupi në Prishtinë Aleks Anderson, thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të mbështesin këtë proces.

“Ne parashohim fillimin e këtij procesi në pjesën e dytë të janarit, kur Kosova duhet të shpallë synimin për zbatimin e planit të Martti Ahtisaarit. Kjo do të siguronte mundësi për Bashkimin Evropian që të vendosë misionin e vet politik dhe policor në Kosovë, ndërsa për Kosovën që të miratojë kushtetutën dhe ligjet e parapara me planin e zotit Ahtisaari dhe në fund të asaj periudhe të shpallë pavarësinë dhe të njihet nga një grup I madh vendesh posaçërisht nga vendet e bashkimit Evropian, dhe natyrisht nga Shtetet e Bashkuara”,- tha zoti Anderson.

Ai tha se Rezoluta 1244 nuk mund të paraqesë problem, sepse “gjuha e saj nuk e garanton vazhdimësinë e sovranitetit të Serbisë. Serbia dhe Rusia me siguri që do të argumentojnë se teksti i Rezolutës e ndalon atë, por praktika në ligjin ndërkombëtarë dëshmon se është çështje e vullnetit të shteteve për njohjen e dyanshme të shteteve të reja”.

Zoti Anderson thotë se shpallja e pavarësisë mund të ndodhë që të bëhet menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale në Serbi, por komuniteti ndërkombëtarë nuk do t’i ofrojë mundësi Serbisë që të shfrytëzojë zgjedhjet për të shtyrë qëllimisht vendimin për pavarësinë e Kosovës.

Brenga kryesore është që Shtetet e Bashkuara dhe një numër i madh i vendeve të BE-së të japin shenja për synimin e tyre që Kosova të ecë përpara drejt pavarësisë së mbikëqyrur deri në muajin maj të vitit 2008.

“Pa këtë qartësi të synimeve mund të përballemi më një boshllëk që mund të jetë II rrezikshëm dhe ka pasur shumë spekulime se çfarë do të ndodhë pas dhjetë dhjetorit, nëse Kosova mund të hyjë në një kaos menjëherë pas kësaj date gjë që nuk do të ndodhë”.

Nga Serbia, thotë ai, vijnë zëra kundërthënës rreth reagimit të saj pas shpalljes së pavarësisë dhe një pjesë e tyre synon të dëmtojë mbështetjen e perëndimit ndaj pavarësisë së Kosovës.

“Serbia nuk do të ri angazhohet në konflikt të armatosur në Kosovë. Ushtria serbe e ka të qartë se në Kosovë janë 16 mijë ushtarë të NATO-s dhe ajo komandohet nga një ministër properëndimor I partisë së presidentit Boris TadiIç, - tha ai, duke nënvizuar se Serbia e di se do të jetë humbëse e madhe nëse reagon ashpër ndaj vendimeve që do të jenë të mbështetura nga mekanizma ku ajo dëshiron të anëtarësohet.

Ai thotë se pjesa veriore e Kosovës e banuar me shumicë serbe ku pushteti i UNMIK-ut nuk është vendosur asnjëherë siç duhet gjatë këtyre viteve, nuk do të pranojë pavarësinë e Kosovës.

Ata do të bëjnë deklaratë politike se nuk janë më pjesë e Kosovës, do të presin lidhjet e mbetura me Prishtinën. Por nuk ka interes as në atë pjesë për nxitje të konfliktit. Zona e hirtë që ka ekzistuar në veri gjatë këtyre viteve, ka ushqyer shumë personalitete me ndikim që do të dëshironin vazhdimin e "status quosë" në atë pjesë, madje edhe gjatë periudhës së pavarësisë. Ndoshta do të jetë problem për disa vjet dhe Shtetet e Bashkuara dhe posaçërisht Bashkimi Evropian, duhet të rishqyrtojnë situatën dhe zbatimin e pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën.//lk

XS
SM
MD
LG