Lidhje

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së pranon mungesën e marrëveshjes, sheh përtej 10 dhjetorit


Me afrimin e 10 dhjetorit, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara e pranon që pret që treshja t’i raportojë se nuk është arritur asnjë marrëveshje për statusin e Kosovës. Ai lë të kuptohet se po mendon për hapat e ardhshëm që duhen marrë. Ndërkohë Uashingtoni thekson nevojën e bashkërendimit me Bashkimin Evropian, ndërsa ekspertë që janë marrë për një kohë të gjatë me Ballkanin, flasin për skenarë të ndryshëm që do të pasonin shpalljen e pavarësisë nga Kosova.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuarav, Ban Ki-moon tha dje se konsultimet e fundit me treshen nuk sollën ndonjë rezultat:

“Kështu që mundësia më e madhe është që në raportin që do të më dorëzojnë më 10 dhjetor të thonë që nuk arritën të binin dakord për asgjë. Atëherë mua do të më duhet që ta bashkërendoj dhe diskutoj këtë çështje në bashkëpunim shumë të ngushtë me Këshillin e Sigurimit”.

Po dje në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit Tom Casey, foli për fazat e mëtejshme.

”Pres që të ketë një diskutim më të zgjeruar për këtë çështje si brenda treshes, ashtu edhe përmes Kombeve të Bashkuara dhe organizmave të tjerë në ditët dhe javët e ardhshme”.

Ai vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me Bashkimin Evropian për statusin e Kosovës përmes treshes dhe shtoi se Shtetet e Bashkuara bashkohen me BE-në për nevojën e zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës në përputhje me planin Ahtisaari.

“Sigurisht që BE-ja ka procedurat e veta në këtë drejtim, por ne do të bashkëpunojmë ngushtë me Bashkimin Evropian, si edhe me palët e tjera për të ecur përpara”.

Ndërkohë një nga diplomatët amerikanë që ka luajtur një rol qendror në Ballkan, shikon përtej javëve në vazhdim dhe parashikon se si do të reagojë Bashkimi Evropian pas shpalljes së pavarësisë nga Kosova.

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në OKB, Richard Holbrooke, duke përmendur faktin që Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca dhe Gjermania kanë thënë se do ta njohin Kosovën, thotë se shumica e vendeve të BE-së, do ta njohin atë, por jo të gjitha.

Në një intervistë dhënë një redaktori në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë, zoti Holbrooke parashikon që vendet e tjera do të arrijnë më ngadalë të pranojnë pavarësinë e Kosovës dhe duke patur parasysh kundërshtimin e Rusisë dhe qëndrimet e pavendosura të vendeve të tjera, do të ketë presion nga të dyja anët.

Në një konferencë telefonike për shtyp, eksperti i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë, Charles Kupchan, sqaroi dje rrugën që do t’i duhej të ndiqte Bashkimi Evropian, duke qenë se unanimiteti është i pamundur:

“Ajo që parashikoj unë është Bashkimi Evropian të përdorë diçka që e cilëson si ‘bashkëpunim të përforcuar’, që do të ishte pak a shumë si koalicioni i vullnetit i krijuar nga Presidentit Bush. Pra vendet që do të kishin vullnetin dhe aftësinë do të merrnin një rol udhëheqës në këtë drejtim”.

Ambasadori Holbrooke thotë se pozita e shtetit të ri të Kosovës do të jetë delikate, pasi anëtarësimi në OKB, me veton e Rusisë do të jetë i pamundur.

Bashkimi Evropian, thotë ai duhet të gjejë rrugë për t’u dhënë ndihmë ekonomike Kosovës, megjithëse jo të gjitha vendet e tij do ta njohin.

Çka është më e rëndësishme thotë ai, është që të gjendet një mënyrë që forcat ndërkombëtare të sigurisë, 16 mijë trupat që gjenden atje të vazhdojnë që qëndrojnë.

Ambasadori Holbrooke parashikon që nëse ato forca largohen shanset për dhunë të jenë të mëdha. Si zoti Holbrooke, ashtu edhe zoti Kupchan parashikojnë që mosmmarrëveshjet për Kosovën të shkaktojnë përplasje të madhe diplomatike mes Moskës dhe Uashingtonit, Moskës dhe Bashkimit Evropian. //kk//

XS
SM
MD
LG