Në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën, ka shqetësime të mëdha lidhur me sigurinë e lojërave, sidomos tani që ka filluar sezoni i festave dhe i blerjes së dhuratave. Megjithëse prodhuesit e lodrave kanë tërhequr vullnetarisht nga tregu disa prej prodhimeve të tyre problematike dhe megjithë vendosjen e rregullave të reja ndaj prodhimeve kineze, prindërit po paralajmërohen të tregohen vetë të kujdesshëm për sigurinë e fëmijëve të tyre.
Blerja e lodrave të sigurta për fëmijët e tyre këtë sezon festash, është bërë tashmë një sfidë e vërtetë për prindërit.
Megjithë paralajmërimin për miliona lojëra me përmbajtje plumbi, apo për coprat e vogla magnetike që ka rrezik të gëlltiten nga fëmijët, frika për pasigurinë e lodrave mbetet një shqetësim". "Përmbjatja kimike është pjesa më e frikshme, sepse nuk mund t’i shikosh lodrat me sy dhe të zbulosh nëse janë të sigurta për fëmijët", thotë nëna e dy fëmijëve në Kanada.
Kina, ku prodhohen rreth 80 për qind e lodrave që shiten në mbarë botën, thotë se ka marrë më tepër masa se kurdoherë për korigjimin e problemeve, për t’u siguruar që eksportimi i lodrave të zhvillohet në përputhje me standartet ndërkombëtare.
Zyrtarë të vendeve të Bashkimit Evropian, që patën kërcënuar se do të ndalonin importimin e produkteve kineze, thanë se BE-ja është e kënaqur, që Kina po bën përparim. Por mbrojtësit e të drejtave të konsumatorëve paralajmërojnë se ende ka prodhime të rrezikshme në treg. Dean Florez është senator nga Kalifornia: "Ka ende nga këto prodhime, të cilat mund t’i gjesh në Internet dhe që tregotohen mes biznesve, ose nga bizneset për konsumatorët. Për këtë arsye i kemi dërguar një letër kompanisë E-Bay, që të fillojnë pa humbur kohë t’u japin informacion prindërve lidhur me prodhimet problematike, të cilat ende mund të gjenden në Internet".
Këtë javë, qyteti i Los Anxhelosit ngriti aktpadi ndaj kompanive të prodhimit të lodrave dhe atyre të shitjes së tyre. Avokati Rocky Delgadillo thotë se kompanitë kanë shitur me dijeni të plotë, lodra me përmbajtje plumbi."Shpresojmë të sigurojmë një urdhër gjykate, i cili do të siguronte që këto kompani të zbatojnë rregulla, që t’i ndalojnë lodrat me përmbajtje plumbi". Megjithëse Komisioni për Sigurinë e Produkteve të Konsumit thotë se kompanitë e lodrave kanë ndërmarrë hapa të rëndësishme për të realizuar sigurinë e lodrave, ai po u kërkon konsumatorëve që të tregohen më aktivë në këtë çështje. Agjencia i nxit blerësit e stinës së festave, që të hyjnë në faqen e saj kompjuterike, të regjistrojnë adresën elektronike në mënyrë që të marrin me E-Mail paralajmërime për prodhimet e ndryshme që mund të paraqesin rrezik për fëmijët e tyre.//rd//