Lidhje

Presidenti Bush i kërkon Kongresit dyfshimin e fondeve për luftën kundër Sidës


1 dhjetori është dita ndërkombëtare kundër Sidës dhe në gjithë botën bëhen veprimtari ndërgjegjësimi për rrezikun e kësaj sëmundjeje. Presidenti Bush bëri të njohur se ka planifikuar një udhëtim në Afrikë për të parë nga afër programet për SIDA-n, të sponsorizuara nga Shtetet e Bashkuara dhe i kërkoi Kongresit të dyfishojë investimet kombëtare në luftë kundër virusit HIV dhe SIDA. Ai e bëri këtë kërkesë dje dhe tha se administrata e tij është e dedikuar të frenojë këtë sëmundje një herë e përgjithmonë. Ai tha se dita e sotme është e trishtueshme por shpresëdhënëse.

Në vitin 2003, zoti Bush filloi Planin e Urgjencës në luftë kundër SIDA-s, një plan 5-vjeçar dhe me një buxhet 15 miliard dollarë për parandalimin e HIV dhe SIDA-s, trajtimit dhe kujdesit në të gjithë botën.

Me rastin e ditës botërore të SIDA-s, Presidenti Bush tha se programi është një fillim i mirë, por vazhdoi ai, ende mbetet shumë për të bërë.

Ai i bëri thirrje Kongresit të përtërijë këtë plan, këtë rradhë me një shumë prej 30 miliard dollarësh.

“Ka ardhur koha që Kongresi i Shteteve të Bashkuara të veprojë përsëri. Unë jam i sigurtë që ata do ta bëjnë këtë dhe i bëj thirrje Kongresit të tregojë rolin drejtues të Amerikës duke përtërirë planin e urgjencës dhe dyfishimin e detyrimit tonë për këtë çështje urgjente”.

Por, jo të gjithë janë të kënaqur me propozimin e Presidentit. Menjëherë pas fjalës së zotit Bush, qindra aktivistë për SIDA-n u mblodhën në Washington për t’i kërkuar qeverisë të investojë edhe më shumë.

Edhe delegatja e Washingtonit në Kongres, Eleonor Holms ngriti zërin e saj në protestë.

“Duhet të flasim drejt për së drejti me Presidentin, t’i themi të vërtetën për të marrë seriozisht dhënien fund epidemisë HIV/SIDA-s në shkallë botërore. Merre seriozisht zoti President”.

Në fund të demonstratës, 40 vetë u arrestuan pasi një grup protestuesish lidhën vehten përpara Shtëpisë së Bardhë në shenjë proteste.

Protesta e Washingtonit ishte një nga shumë të tilla të zhvilluara në Shtetet e Bashkuara. Me shumë aktivitete do të zhvillohen në shkallë botërore.

Zoti Bush tha se ai dhe bashkëshortja e tij, Laura, do të udhëtojnë për në Afrikën Nën-Sahariane në fillim të vitit të ardhshëm. Shtëpia e Bardhë nuk dha detaje të mëtejshme për udhëtimin e Presidentit, i dyti në rajon, pas atij të viti 2003 ku ai vizitoi 5 shtete. //kk//

XS
SM
MD
LG