Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nënshkroi në ligj pezullimin e angazhimit të vendit të tij në traktatin për forcat konvencionale në Evropë. Ligji i nënshkruar sot hyn në fuqi më 12 dhjetor.
Moratoriumi do ta mundësojë Rusinë të dislokojë më shumë forca pranë Evropës perëndimore. Presidenti Putin njoftoi pezullimin e pjesëmarrjes së Rusisë në muajin korrik, në përgjigje të planeve amerikane për të dislokuar një sistem mbrojtës kundër raketave në Evropën qendrore.
Zyrtarët amerikanë thanë se sistemi synon t’i përgjigjet një kërcënimi të mundshëm me raketa të vendeve të papërgjegjshme si Irani dhe Koreja e Veriut. Autoritetet ruse e cilësojnë sistemin si një kërcënim ndaj sigurimit të vendit të tyre.
Nënsekretari amerikan i Shtetit Nikolas Bërns e cilësoi si një gabim të rëndë vendimin e Rusisë për të pezulluar angazhimin në këtë traktat të rëndësishëm për kontrollin e armëve. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se vendi i tij do të vazhdojë përpjekjet për gjetjen e një kompromisi që do të rikthejë angazhimin e Rusisë ndaj traktatit, edhe pas pezullimit të këtij angazhimi. //rd//