Lidhje

SHBA: Problemet me votimin elektronik në zgjedhje


Në Shtetet e Bashkuara pajisjet elektronike të votimit po bëhen një gjë e zakonëshme. Ndërkohë që kjo teknologji e re i ndihmon zyrtarët e zgjedhjeve të kryejnë numërimin e shpejtë të votave dhe të përcaktojnë fituesit në ditën e zgjedhjeve, ajo ka sjellë edhe probleme të reja, që sipas disa vëzhguesve, mund të lëkundin besimin e publikut në procesin e zgjedhjeve.

Florida 2000. Gara midis kandidatit republikan për në Shtëpinë e Bardhë, Xhorxh W. Bush dhe rivalit demokrat Al Gore u përcaktua nga një qendër votimi nëpërmjet rinumërimit të fletëve të votimit në këtë shtet. Në zgjedhjet e 2004-s që pasun, shumë shtete amerikane vendosën të mos përdornin flete votimi dhe vunë në përdorim pajisjet komjuterike. Por me këtë teknologjie të re, lindën edhe probleme të reja.

Besueshmëria e një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike fillon me votat që publiku beson të jenë të drejta dhe të numëruara saktë. Dhe ndërsa teknologjia e votimit përparon, zyrtarëve të zgjedhjeve u duhet të ndërmarrin hapa të reja për të siguruar saktësinë dhe besueshmërinë e votave.

Në qarkun e Montgomerit në Maryland, ashtu si në mbarë Shtetet e Bashkuara, punonjësit e zgjedhjeve kryejnë kurse të posaçme për të përgatitur e vënë në veprim aparatet eletronike të votimit. Instruktori tregon mbi hapat që janë ndërmarrë për të siguruar saktësinë e të dhënave që regjistrohen në këtë pajisje elektronike. Në pamje të parë, duke përdorur pajisje të tilla ku votuesi zgjedh kandidatin e tij me një të prekur të ekranit, dhe kur kompjuteri numëron votat dhe nxjerr vetë rezultatetet, kjo përbën një hap të madh përpara.

Por analisti Gari Kalman pranë grupit kërkimor në interes të publikut, përmend një mangësi të rëndësishme. “Në shumë nga këto pajisje, është vështirë, në mos e pamundur, që të kontrollohen rezultatet. Pra nëse votimet sfidohen dhe nevojitet rinumërimi i votave, ajo që ju mund të bëni është të shikoni pajisjen dhe të tregoni numrin që jep ajo. Në se pajisja ka bërë numërim të gabuar, kjo gjë nuk mund të vërtetohet dhe nuk ekziston një sistem alternativ për të provuar nëse pajisja ka qënë e saktë ose jo”.

Shqetësimet rreth verifikimit se çfarë ka regjistruar pajisja eketronike kanë nxitur disa vëzhgues si Benjamin Ginsberg pranë universitetit Xhons Hopkins, për të kërkuar kthimin pjesërisht të sistemit tradicional me fletë votime. “Rezultatet me kompjuter mund të ndryshojnë. Kjo është arsyeja përse ne kemi nevojë për sistemin rezervë me fletë votimi. Shumë studime kanë treguar se sistemi kompjuterik i votimit i mbështetur nga sistemi me fletë votimi, është gjëja më e sigurt në raste të tilla”. Me këtë fletëvotimin mbështetës të sistemit elektronik, zoti Ginsberg i referohet pjesës së vërtetimit në formë fature që zyrtari në qëndrën e votimit mban nga zgjedhësi pasi ai ka votuar, dhe e përdor nëse lind nevoja për rinumërimin e votave.

Fatkeqësisht, shumë prej pajisjeve elektronike të votimit nuk krijojnë fatura të tillë letre. Prandaj shteteve dhe zonave zgjedhore u duhet të blejnë pasjisje të reja prej miliona dollarësh që të jenë të afta ta bëjnë një gjë të tillë. Por në fund, ajo që rrezikohet është besueshmëria e sistemit zgjedhor në një shoqëri demokratike. //rd//

XS
SM
MD
LG