Prishtina dhe Beogradi i dhanë fund edhe një raundi të bisedimeve të ndërmjetësuara nga grupi i Kontaktit, pa asnjë marrëveshje.
Treshja e Grupit të Kontaktit e përbërë nga i dërguari amerikan Frank Uisner, ai i Bashkimit Evropian, Volfgang Ishinger dhe përfaqësuesi rus Aleksandër Botsan Karçenko, nëpërmjet një komunikate për opinion ka bërë të ditur se ka zhvilluar takime të ndara me të dyja palët për të debatuar qëndrimet e tyre, si dhe pikëpamjet e treshes mbi negociatat.
Nga ana e saj, Prishtina ka përshkruar pikëpamjen e saj për pavarësi të mbikqyrur për Kosovën, sipas propozimit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari.
Beogradi ka shpjeguar ndërkaq, pikëpamjet e veta për një autonomi të gjerë të Kosovës në kuadër të Serbisë. Në njoftimin e treshes thuhet se të dyja palët kanë ripërsëritur përkushtimin e tyre për t’u përmbajtur nga veprimet, apo deklarimet që mund të dëmtojnë sigurinë në Kosovë, thuhet në njoftimin e treshes së Grupit të Kontaktit.
Në takimin e sotëm, Beogradi ka propozuar që statusi i Kosovës të afatizohet për 20 vjet, ndërsa ka ofruar një zgjidhje sipas modelit të Hong Kongut, apo edhe ishujve Okland të Finlandës, ku jeton popullsi suedeze, e cila kishte kërkuar shkëputje më 1917, ndërsa më 1920 i ishte dhënë një shkallë e gjerë e autonomisë nga Liga e atëhershme e Kombeve, por ishte ruajtur sovraniteti i Finlandës mbi këta ishuj.
Prishtina ka hedhur poshtë çdo ide tjetër për zgjidhjen e statusit të Kosovës përveç pavarësisë së saj, përfshirë edhe idenë e zotit Ishinger për një status neutral. Ky propozim është hedhur poshtë edhe nga Beogradi, ndërsa vetë zoti Ishinger ka theksuar, se këtë propozim do ta diskutojë me kolegët e tij nga Grupi i Kontaktit, para se ta hedhe në tryezën e bisedimeve.
Përfaqësuesit e Prishtinës edhe sot kanë përsëritur se do të shpallin pavarësinë pas përfundimit të bisedimeve shtesë, por vetëm në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Kësisoj, ata i kanë qetësuar ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, të cilët i kanë bërë thirrje kryetarit të Partisë Demokratike Hashim Thaçi, që të mos nxitohet me shpalljen e pavarësisë në mënyrë të njëanshme. Zoti Thaçi, partia e të cilit fitoi në zgjedhjet e së shtunës së kaluar në Kosovë tha se pas dhjetë dhjetorit do të shpallë pavarësinë e Kosovës.
Takimi i radhës do të mbahet në Baden të Austrisë dhe do të zgjasë tri ditë nga 26 deri më 28 nëntor. Treshja e Grupit të Kontaktit u ka theksuar se do të bëjë gjithë përpjekjet e mundshme për të gjetur një zgjidhje ndërmjet të dyja palëve, ndërsa më dhjetë dhjetor treshja do t’i raportojë sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.
Grupi i Kontaktit mori përsipër procesin për zgjidhjen e statusit të Kosovës, pas dështimit të këshillit të Sigurimit për të arritur një konsensus, për shkak të kundërshtimit rus ndaj planeve për t’i dhënë Kosovës pavarësi të mbikëqyrur.
Në prag të takimit, dërguari i Bashkimit Evropian, Volfgang Ishinger, shprehu optimizëm për arritjen e përparimit në bisedime, megjithë pesimizmin e shprehur si nga pala serbe ashtu edhe ajo shqiptare.
Përfaqësuesit shqiptarë e ata serbë janë më pak optimistë rreth mundësive për arritjen e një marrëveshjeje para 10 dhjetorit. Statusi neutral i Kosovës, një formulë e re e ofruar nga zoti Ishinger, do t’u mundësonte Prishtinës dhe Beogradit që të binin dakord mbi çështje praktike, si lidhjet tregëtare dhe çështje të kufirit, pa prekur çështjen e pavarësisë. Ky propozim nuk përmend specifikisht pavarësinë, por i siguron shqiptarët se Serbia “nuk do të rivendosë një prani fizike në Kosovë.”
Por udhëheqësit e Kosovës thanë përsëri, se asgjë më pak se pavarësia nuk do të ishte e mjaftueshme.
“Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin shumë të mirë që kemi me treshen. Më 26 të këtij muaji do të kemi takimin e fundit dhe shpresojmë që të procesi të marë fund. Vizioni dhe qëndrimi ynë është i qartë: Pavarësia e Kosovës dhe njohja e saj. Ne do t’ja arrijmë kësaj në bashkëpunim me vendet që kanë ndihmuar dhe vazhdojnë të ndihmojnë Kosovën. Nuk ka absolutisht alternativa të tjera”,- tha ai.
Ish udhëheqësi i UÇK-së, Hashim Thaçi, i cili pritet të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës, dha të njëjtin mesazh në Bruksel:
“Kosova nuk mund të ketë status neutral. Kosova do të jetë e pavarur dhe ne do të jemi fqinj të mirë me Serbinë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Pavarësia e Kosovës do të sjellë paqe dhe qëndrueshmëri në rajon. Si kryeministër i ardhshëm i Kosovës, ne do të bashkëpunojmë me të gjithë në rajon për paqen e qëndrueshmërinë si dhe për marrëdhënie më të mira me Serbinë”.
Të hënën, ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian u bënë thirrje udhëheqësve të Kosovës që të mos nxitohen për të shpallur pavarësinë, nëse nuk arrihet një marrëveshje deri më 10 dhjetor.
Vendet evropiane janë të shqetësura se mos arritja e një marrëveshjeje me mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mund të çojë në paqëndrueshmëri në Ballkan. Sinjale të ndryshme nga Kosova, nëse ajo mund të shpallë pavarësinë në mënyrë të njëanshme, ndoshta menjëherë pas 10 dhjetorit, mund ta shtojnë këtë paqëndrueshmëri.
Ndërkohë në Prishtinë, banorët nuk presin asnjë ndryshim nga negociatat. Vëzhguesit thonë se në bisedime do të diskutohen disa ide, ndërkohë që zyrtarët e Bashkimit Evropian i kanë bërë thirrje si Prishtinës edhe Beogradit që t’u përgjigjen në mënyrë konstruktive ideve të paraqitura nga ndërmjetësit. //lk