Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha të enjten në mbrëmje vonë në Prishtinë se të gjitha veprimet e institucioneve të Kosovës pas dhjetë dhjetorit, kur përmbyllet procesi shtesë i negociatave për statusin, do të merren në bashkërendim me bashkësinë ndërkombëtare. Ai i bëri këto komente pas kthimit nga një seri takimesh që ekipi i unitetit ka zhvilluar në Lisbonë, Romë e Berlin, e të cilat pasuan bisedimet e së hënës me delegacionin e Beogradit në Vjenë. Ai tha se gjatë këtyre vizitave është siguruar mbështetje për përmbylljen sa më të shpejtë të procesit për statusin e Kosovës.
“Për ne është me rëndësi që të mbajmë këtë hap dhe këtë dinamikë të punës që kemi dhe sigurisht se do të konsultohemi drejtpërdrejtë edhe më Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pra me Washingtonin, me Brukselin, me të gjithë vendet që janë në Bashkimin Evropian që kanë pozicione kyçe dhe të rëndësishme duke pasë respekt ndaj gjithë vendeve tjera të BE-së dhe botës demokratike që kanë qenë dhe janë me Kosovën”, tha ai.
Presidenti Sejdiu sërish hodhi poshtë çdo ide tjetër për zgjidhjen e statusit të Kosovës pos pavarësisë së saj. Prishtina ka refuzuar idenë e Beogradit për zbatimin e modelit të Hong Kongut, duke theksuar se Kosova është rast I veçantë.
Beogradi ndërkaq ka përsëritur se nuk do të pranojë pavarësinë e Kosovës duke llogaritur në mbështetjen e Rusisë. Ambasadori rus në Beograd Alexandër Alexejev ka deklaruar dje në veriun e Mitrovicës se statusi i Kosovës nuk mund të zgjidhet jashtë kuadrit të së Drejtës Ndërkombëtare dhe nuk mund të trajtohet si rast i veçantë. Ai i ka bërë këto komente gjatë një vizite në këtë pjesë të Kosovës të banuar me shumicë serbe bashkë me ministrin për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Sllobodan Samarxhic. Për Federatën Ruse, çështja e Kosovës është mjaft e ndërlikuar dhe kërkon zgjidhje të pranueshme si për serbët, ashtu edhe për shqiptarët, ka thënë ambasadori rus duke nënvizuar se çdo shmangie nga parimet e së Drejtës Ndërkombëtare do të krijonte probleme që do të pasqyroheshin edhe në vende të tjera të botës.
“Nëse ne shkojmë me rrënimin e së Drejtës Ndërkombëtare, duhet t’i kemi parasysh të gjitha pasojat politike të këtij gabimi të madh”, ka thënë ai.
Ministri serb, Slobodan Samarxhiq, ishte shumë I rreptë në qëndrimet e tij. Ai tha se Kosova po shërben si çerdhe e terroristëve, të cilët, sipas tij po përpiqen ta shkëpusin Kosovën nga Serbia.
“Ne do të luftojmë kundër të gjithë terroristëve, kundër të gjithëve që duan ta rrezikojnë lirinë tonë, shtetin tonë”, tha ministri Samarxhiq.
Ai shtoi se Serbia dhe Rusia janë bashkë, si shtete që bëjnë politikë të përbashkët për Kosovën.
Kundërshtimi rus ndaj planeve për t’i dhënë Kosovës pavarësi të mbikëqyrur e bëri të pamundur arritjen e një konsensusi në Kombet e Bashkuara dhe kushtëzoi një proces shtesë 120 ditësh të negociatave të drejtuara nga Grupi i Kontaktit. Por as ky proces, nuk duket se mund të sjellë ndonjë marrëveshje ndërmjet të dyja palëve. //kk//