Muzeu i Universitetit Amerikan në Uashington ka organizuar një ekspozitë ku pasqyrohet keqtrajtimi i të burgosurve nga ushtarët amerikanë në burgun Abu Graib në Irak. Ekspozita e piktorit kolumbian Fernando Botero përfshin një numër pikturash dhe skicash.
Gjatë gjithë historisë artistë të shumtë kanë bërë deklarata kundër luftës dhe kanë protestuar ndaj shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të drejtave civile përmes veprave të tyre. Fernando Botero është autori i veprës “Abu Graib”
"Këto piktura janë rezultat i zemërimit që ndjeva kur u njoha me torturat që ishin kryer në Abu Graib," thotë artisti.
Botero nuk i ka parë kurrë fotografitë tronditëse të keqtrajtimeve që janë parë në të gjithë botën. Pikturat e tij e gjetën frymëzimin në rrëfimet e botuara në faqet e shtypit. 7 ushtarë amerikanë u shpallën fajtorë për krime që lidhen me keqtrajtimet.
Ekspozita përfshin 80 piktura dhe skica në stilin e spikatur të Boteros. Ai ia ka dhuruar të gjithë koleksionin Universitetit të Kalifornisë në Berkley, ku paraqiti ekspozitën e parë me këtë temë.
"Nuk e mendova kurrë t’i shes këto piktura. Do të ishte imorale të nxjerrësh para nga vuajtjet njerëzore," thotë artisti.
Botero thotë se i punoi këto vepra për të dënuar dhunën: "Shpresoj se kur gazetat dhe njerëzit të mos flasin më për këtë ngjarje, këto piktura do të mbeten për t’u kujtuar të gjithëve një moment të papranueshëm në historinë e Shteteve të Bashkuara".
Jack Rasmussen është drejtor i Muzeut të Universitetit Amerikan: "Fernando është ndoshta artisti më i njohur dhe më i suksesshëm ameriko-latin, por është njëkohësisht edhe një prej artistëve më të rëndësishëm në botë." Zoti Rasmusen thotë se ndërthurja e mesazhit politik me vlerat e mëdha artistike të veprave e bëjnë të pamundur të mos i kushtosh rëndësi kësaj ekspozite.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fund të vitit, kur do të transferohet për t’u paraqitur në Meksikë. //ad//