Lidhje

Në Gjeorgji vendoset gjendja e jashtëzakonshme


Presidenti i Gjeorgjisë Mikhail Saakashvili vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në kryeqytetin e vendit, Tbilisi, ndërkohë që vazhdon kriza më e rëndë politike në vend në 4 vitet e fundit.

Kryeministri Zurab Nogaideli i njoftoi masat, pasi akuzoi opozitën se po përpiqet të organizojë një grusht shteti. Më parë, policia në Gjeorgji përdori gazin lotsjellës, plumbat prej kauçuku dhe ujin me presion për të shpërndarë protestuesit që ishin mbledhur në kryeqytetin e vendit sot me thirrjet për dorëheqjen e Presidentit Mikhail Sakashvili.

Ndërkohë që vazhdonte të shkallëzohej kriza më e rëndë politike në Gjeorgji, Presidenti akuzoi agjentët e fshehtë rusë se ishin nxitës të trazirave në vend. Në fjalimin e transmetuar nga televizioni kombëtar, zoti Sakashvili tha se Gjeorgjia ka thirrur ambasadorin e saj në Moskë dhe do të dëbonte një numër të personelit të ambasadës ruse nga Tbilisi.

Zoti Sakashvili tha se zyrtarë të lartë në shërbimet e fshehta ruse ishin nxitës të trazirave dhe u zotua të mos lejojë destabilitet dhe kaos në vend. Fillimisht policia dëboi protestuesit nga sheshi para parlamentit dhe më pas në pjesë të tjera të Tbilisit. Policia u fut më pas në stacionin e pavarur televiziv Imedi, i cili kishte transmetuar zhvillimin e protestave, dhe detyroi ndaljen e transmetimeve. //lk

XS
SM
MD
LG