Lidhje

Operohet në Indi vajza e lindur me 8 gjymtyrë


Mjeket ne Indi filluan sot operacionin e një vajze dy-vjeçare të lindur me katër duar dhe katër këmbë. Ata shpresojnë se pas operimit vajza do të mund të ketë një trup normal, siç thotë një zyrtar i spitalit. Vajza është e bashkuar me trupin e një binjaku parazit, i cili nuk vazhdoi të zhvillohej më brenda mitrës së nënës, ndërkohë që fetusi i mbijetuar mori gjymtyrët e tij, veshkat dhe pjesë të tjera të fetusit të pazhvilluar.

Kjo gjendje e rrallë njihet me termin shkencor ishiopagus, dhe i referohet binjakëve të ngjitur me njëri tjetrin. Vajza, e quajtur Lakshmi, e ka marrë emrin nga perëndesha indiane e pasurisë me katër duar, dhe disa njerëz në fshatin e saj të varfër në shtetin verior të Biharit e shohin atë si perëndeshë. “Të gjithë e konsiderojnë vajzën si perëndeshë në fshatin tonë,” tha babai i saj, Shambhu. “Të gjitha këto shpenzime po bëhen për ta kthyer atë në gjendje normale. Deri tani gjithçka ka shkuar mirë.”

Disa njerëz janë përpjekur të fitojnë para nëpërmjet kësaj vajze. Prindërit e kanë mbajtur atë të fshehur, pasi një cirk ishte përpjekur ta blinte. Ndërlikimet për operacionin e Lakshmit janë nga më të ndryshmet: dy shtyllat kurrizore janë të ngjitura, vajza ka katër veshka, nerva të ngatërruara, dy stomakë dhe dy kafaze kraharori. Ajo nuk mund të ngrihet në këmbë dhe të ecë.

Doktorët po përpiqen t’i heqin gjymtyrët dhe organet e tepërta, në mënyrë që Lakshmi të ketë një trup normal pas operacionit. “Ёshtë mbledhur një ekip kirurgësh shumë të aftë që po bëjnë ç’është e mundur për ta zgjidhur problemin e vajzës së vogël,”tha doktor Sharan Patil, që është edhe krye-kirurgu i operacionit. “Operacioni do të vazhdojë për shumë orë me radhë, dhe ai do të jetë tepër i ndërlikuar...” Doktor Patil thotë se rreziku i Lakshmit për të mos i mbijetuar operacionit është 20 deri në 25 përqind.

Mjekët në spitalin Sparsh në Bangalore, ku po operohet vajza e vogël, thonë se ajo është bërë shumë e njohur mes personelit dhe pacientëve të tjerë. Një zyrtar tha se fondacioni i spitalit po paguan për operacionin, ngaqë familja e vajzës nuk është në gjendje t’i përballojë shpenzimet mjekësore. Operacioni po kryhet nga një ekip prej 30 doktorësh. //ad//

XS
SM
MD
LG