Shtetet e Bashkuara kanë filluar të pranojnë aplikimet për edicionin e ri të llotarisë së vizave, një program i cili ka sjellë në Amerikë qindra mijra emigrantë. Por e ardhmja e llotarisë së vizave është e paqartë. Si Dhoma e Përfaqësuesve ashtu edhe Senati kanë miratuar një projektligj për të eliminuar financimin e një programi të tillë.
Të huajt që kërkojnë të vijnë e të jetojnë në Shtetet e Bashkuara mund të aplikojnë me internet për Llotarinë e Vizave – edicioni 2009. Afati i aplikimit mbaron më 2 dhjetor.
Çdo vit, përmes llotarisë, Departamenti amerikan i Shtetit jep 50 mijë viza për t’u bërë banor i përhershëm, pra për të marrë "kartën jeshile” siç njihet ndryshe.
Llotaria filloi në vitin 1990 dhe ka si synim të sjellë në Amerikë njerëz nga vende të cilët nuk kanë patur numër të madh emigrantësh në Shtetet e Bashkuara.
Megjithëse në Shtetet e Bashkuara programi i llotarisë së vizave ka qenë gjithmonë burim debatesh, ai është jashtëzonisht popullor në vende të ndryshme të botës. Për llotarinë e vitit të kaluar pati më shumë se 6,4 milion aplikime, shumica nga Afrika dhe nga Azia.
Ja ç’thotë Tony Edson, zëvendës ndihmës sekretar i shtetit për Shërbimet e Vizave: "Kongresi e krijoi programin e llotarisë së vizave për të rritur diversitetin e popullsisë imigrante në Shtetet e Bashkuara. Synimi është të lejohet imigracioni nga vendet që nuk kanë shumë imigrantë në Shtetet e Bashkuara."
Vizat shpërndahen sipas rajoneve gjeografike. Marrin më shumë ato rajone nga të cilët ka patur më pak imigrantë.
Nuk kualifikohen për llotarinë e vizave shtetasit e vendeve të cilët kanë dërguar në Amerikë më shumë se 50 mijë imigrantë gjatë 5 viteve të kaluar. Nga llotaria e këtij viti janë përjashtuar rreth 20 vende, ku përfshihen Meksika, India, Kina dhe Rusia.
Aplikantët për llotarinë e vizave duhet të kenë ose diplomën e shkollës së mesme ose të paktën 2 vjet punë në një fushë e cila kërkon të paktën 2 vjet trajnim.
Por Bryan Griffith i Qendrës për Studimet mbi Imigracionin – një institut i pavarur kërkimor – thotë se këto kërkesa janë të pamjaftueshme. "Nuk ka garanci se këta njerëz mund të japin kontributin e duhur për shoqërinë. Duhet të kesh më tepër se një diplomë të shkollës së mesme për të qenë në gjendje të konkurosh me sukses në këtë vend në epokën e tanishme."
Gjithashtu, kërkesat minimale për aplikimin në këtë llotari e bëjnë atë të ekspozuar ndaj manipulimeve të ndryshme.
Muajin e kaluar, një raport i zyrës që kontrollon përgjegjshmërinë e qeverisë, thotë se ka patur përdorime në shkallë të gjerë dokumentesh të falsifikuar, si leje martese apo pasaporta. Në raport thuhet gjithashtu se në shumë raste, njerëz që hiqen si ekspertë vizash i mashtrojnë aplikantët duke u vënë çmime të larta për t’u plotësuar formularët.
Kritikët thonë se mundësia për manipulime në programin e llotarisë së vizave përbën një rrezik edhe në aspektin e sigurisë kombëtare sepse i hap dyert hyrjes së terroristëve në vend.
Në vitin 2003, Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Shtetit ngriti shqetësimin se njerëz nga vende të cilësuar si nxitës shtetërorë të terrorizmit mund të aplikojnë për llotarinë e vizave. Në fakt, deri tani, në Shtetet e Bashkuara kanë hyrë përmes llotarisë rreth 9,800 vetë nga vende të tilla.
Zoti Edson thotë se zyra e tij i ka parasysh këto shqetësime dhe përpiqet t’u japë përgjigje atyre."Natyrisht që ne tregojmë kujdes të veçantë kur shqyrtojmë aplikimet nga vendet e cilësuar si nxitës shtetërorë të terrorizmit dhe mendojmë se ky kujdes në shqyrtimin dhe intervistimin e njerëzve nga këto vende është i mjaftueshëm për të garantuar integritetin e procesit të dhënies së vizës dhe sigurinë e kufijve tanë."
Avokati i imigracionit në Uashington D.C., Glen Wasserstein ka punuar me njerëz që kanë kaluar nëpër programin e llotarisë së vizave. Ai thotë se njerëzit që vijnë në Amerikë me llotari nuk janë kriminelë apo terroristë por njerëz të thjeshtë që kanë një ëndërr. "Shumë njerëz të mirë që kanë ardhur në Amerikë me llotari nuk kanë patur mjete të tjera për të ardhur këtu. Pra, unë besoj se llotaria u jep rastin të jetojnë ëndrrën amerikane miliona njerëzve që nuk kanë mundësi tjetër."
Por ndoshta të huajt nuk do ta kenë më një rast të tillë. Në muajin qershor, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një projektligj i cili eliminon financimin e llotarisë së vizave. Senati miratoi një projektligj të ngjashëm në muajin shtator. Tani dy variantet do t’i kalojnë një komisioni të Kongresit për të rakorduar ndryshimet dhe për të dalë me një version të vetëm. Në vitin 2005, një projektligj që parashikonte eliminimin e llotarisë së vizave u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve por nuk arriti të kalojë në Senat.
Ata që fitojnë llotarinë e vizave janë vetëm një pjesë e vogël e imigrantëve që hyjnë në vend. Sipas Departamentit të Sigurimit Kombëtar, vizat e dhëna me anë të llotarisë përbënin vetëm 3,5 përqind të më shumë se 1,2 milion kartave jeshile të lëshuara në vitin 2006.
Shumica e imigrantëve vijnë në Amerikë përmes programeve që lejojnë hyrjen e njerëzve me lidhje familjare, me sponsorizim nga punëdhënës të ndryshëm apo me status refugjati. //ii