Lidhje

OSBE shpreh shqetësim për trajtimin e trafikimit njerëzor në Kosovë


Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka shprehur shqetësimin me, siç është thënë, përparimin e vogël të shënuar në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore në Kosovë.

Në një raport të kësaj organizate thuhet se çështja e trafikimit është shumë e ndjeshme dhe ajo godet të drejtat themelore njerëzore. Shefi i këtij misioni, Tim Guldiman tha se raporti, në mënyrë specifike, përqëndrohet në problemet, të cilat paraqiten sistematikisht në sistemin gjyqësor, përfshirë disa aspekte, si “moskuptimin e duhur të elementeve që përbëjnë një vepër trafikimi nga ana e gjykatësve dhe prokurorëve, mungesën e trajtimit të përshtatshëm të viktimave nga autoritetet përgjegjëse dhe dështimin për të siguruar masa të përshtatshme për mbrojtjen e dëshmitarëve”, tha ai.

Autoritetet vendase janë pajtuar me një pjesë të raportit, por kanë tërhequr vërejtjen, se një pjesë e madhe e shqetësimeve kanë të bëjnë edhe me autoritete të tjera, si policia, prokurorët, madje edhe Parlamenti e Qeveria. Kryetari i Gjykatës së Lartë të Kosovës, Rexhep Haxhimusa tha se Kosova ka infrastrukturë ligjore, por duhet funksionimi i të gjitha organeve që merren me ndjekjen, zbulimin dhe trajtimin e dukurisë së trafikimit.

“Drejtësia nuk është vetëm reagimi i shoqërisë ndaj kryesit të veprës penale, është pjesë e reagimit të shoqërisë së organizuar ndaj keqbërësve. Por drejtësia e plotë është atëherë nëse kishim me e pru gjendjen e prishur, balancën e prishur në shoqëri nga veprimet e tilla të kriminelëve, në veçanti në raport me palën e dëmtuar”, tha ai.

Zoti Haxhimusa është pajtuar se ka pasur lëshime, shpeshherë të kushtëzuara nga mungesa e institucioneve dhe mundësive të përshtatshme për trajtimin e viktimave të trafikimit.

“Për mungesën e institucioneve të përshtatshme, vendosjen dhe trajtimin e tyre, shpeshherë, organet që janë marrë me këto çështje e kanë gjetur zgjidhjen, në thonjëza, më fatlume, më të efektshme që viktimën ta dëbojnë, ta kthejnë në vendin e vet dhe më vonë procedurat zvarriten”, tha zoti Haxhimusa.

Ministri i Drejtësisë, Jonuz Salihaj, tha ndërkaq, se çështja e trafikimit është një çështje e pastër e sundimit të ligjit, me të të cilën përballen të gjitha vendet në tranzicion.

Ai tha në vitin 2006 janë trajtuar 35 raste të trafikimit, ndërsa gjatë këtij viti janë identifikuar 17 raste të tilla. Ai pranoi se ka shumë vështirësi për mbrojtjen e dëshmitarëve, një nga çështjet më të shpeshta të përmendura si dobësi e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

“Mbrojtja e dëshmitarëve është mjaft e komplikuar, sepse dëshmitarët duket të qiten jashtë Kosovës, duhet të sigurohen, familjet e tyre e kështu me radhë”.

Ministri Salihaj tha se është duke u punuar për ndryshimin e ligjeve, për të mundësuar ashpërsimin e masave ndaj trafikantëve, sidomos ndaj trafikantëve të fëmijëve. Aktualisht, ligjet në fuqi parashohin dënime prej dy, deri në njëzet vjet heqje lirie për trafikantët. Por deri tash, jo shpesh, janë zbatuar këto dënime, me gjithë pohimet se dukuria e trafikimit ka shënuar rritje të vazhdueshme, që nga përfundimi i luftës në Kosovë.//lk

XS
SM
MD
LG