Shefja e zyrës amerikane në Prishtinë Tina Kaidanow, ka theksuar sot se Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me statusin e Kosovës është artikuluar shumë herë nga zyrtarë të niveleve të lartë, përfshirë presidentin Bush dhe Sekretaren e Shtetit Kondoliza Rice.
Në një deklaratë për opinion të zonjës Kaidanow, thuhet se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht procesin e Treshes që është duke u zhvilluar, dhe presin që në fund të këtij procesi, përcaktimi i statusit të Kosovës do të lëvizë drejtë një përfundimi, sa më shpejtë që të jetë e mundur.
Deklarata duket se është përgjigje ndaj shkrimeve të së përditshmes Express sipas së cilës diplomatët amerikanë janë duke hartuar një propozim për siç thuhet, ngrirjen e statusit të Kosovës për një periudhë 12 vjeçare. Gazeta duke cituar burime diplomatike shkruan se statusi afatgjatë i Kosovës do të mbetej i pazgjidhur deri në vitin 2020 kur ai do të vendosej me një referendum. Gjatë kësaj kohë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do të investonin shumë të mëdha deri në shtatë miliardë euro në vit në ekonominë e Kosovës.
Sipas burimit të gazetës kjo ide u është thënë edhe udhëheqësve politikë të Kosovës. Por zëdhënësi i ekipit të negociuesve të Prishtinës, Skënder Hyseni hodhi poshtë një gjë të tillë. “Nëse një ide e tillë qarkullon në çfarëdo qarqesh, është totalisht e papranueshme. Është e papranueshme që pavarësia të shtyhet, me vite jo se jo, por edhe me muaj do të jetë në pikëpyetje a mund të shtyhet apo jo”, tha zoti Hyseni.
Afrimi i fundit të procesit të negociatave shtesë ka shtuar edhe idetë e spekulimet rreth përfundimit të këtij procesi. Sipas ndërmjetësuesve edhe tri takime do të mbahen ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit para mbylljes së këtij procesi më 10 dhjetor, kur treshja e Grupit të Kontaktit do t’i raportojë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për rrjedhën e negociatave.
Deri atëherë vështirë që palët do të arrijnë ndonjë marrëveshje për shkak të qëndrimeve tërësisht të kundërta. Beogradi kërkon ruajtjen e sovranitetit mbi Kosovën, ndërsa Prishtina ngulë këmbë se pavarësia është e pa negociueshme.
Grupi i Kontaktit morri përsipër procesin për zgjidhjen e statusit të Kosovës pas dështimit të Këshillit të Sigurimit për të arritur një konsensus për shkak të kundërshtimit rus ndaj propozimit për t’i dhënë Kosovës pavarësi të mbikëqyrur.//iç//