Lidhje

Ndërthurrja e vallëzimit modern me teknologjinë elektronike


Një rrymë e re vallëzimi ka përfshirë universitetet dhe studiot amerikane të vallëzimit. Një grup i vogël koreografësh kanë filluar të ndërthurin koreagrafitë e tyre më të fundit me teknologjinë më të përparuar të videos për të krijuar një formë të re argëtimi.

Karol Hess është koreagrafe dhe videografe për Projektin e Baltimorës për Vallëzim. Së bashku me kolegun Doug Hamdy, ata po ndërthurin montazhin, kinematografinë dhe kolona zanore origjinale për t’i dhënë një pamje tjetër shfaqjeve të kompanisë së tyre: "Është thuajse si piktura kubiste, ku ekzistojnë një numër perspektivash të ndryshme që ndërthuren njëkohësisht. Ne e realizojmë këtë gjatë shfaqjes së drejtpërdrejtë, pra i gjithë procesi është pjesë e shfaqjes".

Koreagrafja Hess ka filmuar pamje nëpër qytetin Baltimorë të Merilendit për koreagrafinë e re dhe përmes projektorit i transmeton pamjet gjatë vallëzimit në skenë. Ky është vetëm një aspekt i mënyrës se si kompania e shfrytëzon teknologjinë. Koreografët u japin kamera edhe vetë valltarëve dhe u japin mundësi të xhirojnë momente të një shfaqjeje. Ata bashkëpunojnë edhe me artistë të efekteve zanore për të krijuar kolona zanore origjinale.

Projeti i Baltimorës për Vallëzim nuk është e vetmja kompani që ndërthur teknologjinë me vallëzimin. Në Nju Jork kompania Troika Ranch realizon filma dixhitalë për të theksuar lëvizjen në kohë dhe hapësirë. Valltarët dhe koreografët kanë filluar ta vënë krijimtarinë e tyre edhe në internet.

Faqet elektronike YouTube dhe Myspace janë shndërruar në forume për shfaqje të reja vallëzimi. Koreografi Boris Willis publikon çdo ditë në faqen e tij elektronike dance-a-day.com vallëzime të improvizuara."Mund të realizoj një video vallëzimi kurdo që më kap frymëzimi. Mund të krijoj koreografinë, ta paraqes dhe ta realizoj. Nuk më nevojitet një skenë apo veprimtari për grumbullim fondesh. Nuk kam nevojë të bëj prova. Thjesht e realizoj".

Integrimi i teknologjisë me vallëzimin nuk ka kaluar pa kritika. Përsëri Karol Hes e Projektit të Baltimorës për Vallëzim:"Shumë profesionistë të vallëzimit shpreheshin se ky realizim i shpërqëndronte, pasi nuk mund të ndiqnin njëkohësisht pamjet e transmetuara nga projektori dhe shfaqjen në skenë. Na thoshnin se ndiqnin ose njërën ose tjetrën. Arrita në përfundimin se transmetimi i pamjeve të xhiruara drejtpërdrejtë gjatë shfaqjes ishte një mënyrë shumë produktive për të krijuar një lidhje ndërmjet imazhit vizual dhe valltarit, pasi faktikisht valltari është imazhi vizual". Teknologjia në vallëzim ka gjetur përkrahje në brezin më të ri të përdoruesve të kompiuterit. Koreografja thotë se shikuesit e sotëm janë mësuar të ndjekin shfaqje me ndërthurje pamjesh të ndryshme dhe me disa burime zanore.

Një numër gjithnjë e më i madh universitetesh në vend ofrojnë kurse koreografie dhe teknologjie. Në disa universitete vallëzimi ndërthuret me teknologjinë e lojrave elektronike përmes një programi të njohur si kapja e lëvizjes. //rd//

XS
SM
MD
LG