Kryeministri irakian Nuri al-Maliki tha se vendi i tij do të mbyllë zyrat e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, PKK, dhe nuk do ta lejojë grupin të funksionojë në Irak.
Me anë të një deklarate, kryeministri Maliki tha se PKK-ja është organizatë terroriste. Ai tha se Bagdati do të bëjë ç’është e mundur për të ndaluar veprimtaritë e PKK-së, të cilat përbëjnë kërcënim si për Irakun edhe për Turqinë.
Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdohan tha po sot në Londër se qeveria e tij nuk mund të presë përgjithmonë që Iraku fqinj të marrë masa kundër rebelëve kurdë, të cilët e përdorin pjesën veriore të vendit për të ndërmarë sulme kundër Turqisë. Ai paralajmëroi se Ankaraja është gati të ndërmarë aksione ushtarake kundër PKK-së në çdo kohë.
Kryeministri Erdohan i bëri këto komente pasi u takua me kryeministrin britanik Gordon Brown. Kryeministri Brown i dënoi sulmet e PKK-së dhe premtoi të përkrahte Turqinë. Ai tha se Britania e vlerëson vetpërmbajtjen e treguar nga Turqia.
Në Bagdad, ministri i jashtëm irakian Hoshjar Zebari u takua me homologun e tij turk, Ali Babaxhan.
Zoti Babaxhan tha se Turqia preferon ta zgjidhë problemin e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit nëpërmjet diplomacisë, dialogut dhe masave ekonomike. (ze)