Lidhje

Gazetarja Vesna Bojiçiç ka paraqitur raport falso


Policia në Kosovë thotë se gazetarja e shërbimit serb të Zërit të Amerikës në Prishtinë, Vesna Bojiçiç, ka paraqitur një raport falso, kur tha se ishte sulmuar dhe rrahur në fillim të muajit.

Agjencia Tanjug citon zëdhënësin e policisë së Kosovës, Veton Elshani të ketë thënë se rasti i Vesna Bojiçiçit do të dalë para gjykatës përkatëse. Sipas zëdhënësit të policisë, ka dëshmitarë që e kanë parë gazetaren Bojiçiç në një klub nate atë mbrëmje dhe të nesërmen në mëngjes, e kanë parë në vendin e një aksidenti rrugor.

Gazetarja Bojiçiç i tha Zërit të Amerikës se një person i maskuar, ishte futur me forcë në apartamentin e saj në Prishtinë dhe e kishte rrahur. Sipas saj, personi e kishte kërcënuar për punën që ajo bënte për Zërin e Amerikës.

Punonjës të Shërbimit serb të Zërit të Amerikës, thonë se gazetarja u kishte thënë atyre se shërbimi policor i Kosovës, nuk kishte pranuar të merrej me ankesat e saj në të kaluarën.

Ajo thotë se nuk ka besim tek policia në Kosovë dhe nuk do të pranonte të bisedonte me ta. Zonja Bojiçiç ka kërkuar që rasti i saj të trajtohet nga policia ndërkombëtare. (ze)

XS
SM
MD
LG