Sekretarja amerikane e shtetit Condoliza Rice do të shkojë të dielën në Lindjen e Mesme për bisedime me udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë në prag të një konference të rëndësishme që do të mbahet muajin e ardhshëm në Shtetet e Bashkuara. Zonja Rice do te ketë takime të veçanta me kryeministrin izraelit Ehud Olmert dhe me presidentin palestinez Mahmud Abaz.
Ajo shpreson që të afrojë pikëpamjet e ndryshme rreth një dokumenti i cili do të paraqitet në konferencë dhe që ka të bëjë me shtetësinë palestineze. Në dokument, palestinezët kërkojnë që Izraeli të japë sigurime rreth statusit të Jerusalemit, refugjatëve dhe kufijve përfundimtarë ndërkohë që Izraeli parapëlqen një deklaratë parimesh.
Një negociator palestinez ka tërhequr vërejtjen se mosarritja e një marrëveshjeje do të rrezikonte përkrahjen ndaj procesit të paqes dhe do t’i çonte palestinezët drejt përkrahjes së grupit ekstremist Hamas, i cili morri kontrollin e Rripit të Gazës në muajin qershor. //kk//