Muzeu Ndërkombëtar i Spiunazhit në Washington është bërë një pikë turistike mjaft tërheqëse. Mbi 3 milionë e gjysmë vizitorë kanë kaluar dyert e tij që nga hapja në vitin 2002. Në pavionët e tij mund të shihet një penë helmuese, apo një çadër që përdoret si pistoletë, pajisje të sofistikuara përgjimi dhe mjete të tjera spiunazhi. Muzeu, një prej më intriguesve në botë i paralajmëron vizitorët se objektet që shohin brenda, nuk janë ato që duken në pamje të parë.
Nuk është sekret – Muzeumi Ndërkombëtar i Spiunazhit në Washington DC është bërë një nga pikat turistike më tërheqëse të qytetit.
“Me sa dimë ne, jemi i vetmi muze ndërkombëtar i spiunazhit në botë”, thotë Peter Earnest është drejtori ekzekutiv i muzeut dhe veteran për 35 vjet me CIA-n.
“I kemi kaluar parashikimet tona. Këtë ia atribuojmë disa faktorëve. E para është se njerëzve nga natyra u pëlqen të mësojnë sekrete, gjëra që kanë qënë sekret dhe tani nuk janë më”, thotë ai.
Në muze është ekspozuar një koleksion i madh objektesh të përdorura për spiunazh të pa publikuara më parë, përfshi këto pajisje përgjimi në miniaturë të ndërtuara për të mos u zbuluar.
“Ky është një muze rreth sekreteve. Të ngjall kurreshtjen. Tregojmë këtu për historitë e njerëzve që kanë qënë në spiunazh, çfarë sakrificash kanë bërë dhe përpiqemi të japim ndjenjën e asaj që kanë fituar. A ja vlente ajo që bënë?
Fillimet e spiunazhit datojnë që nga koha e tekstit kinez “Arti i Luftës”, i shkruar dy mijë e 500 vjet më parë. Pajisjet që dikur ishin tepër sekret, tani i gjen të ekspozuara për publikun. Edhe pse asnjë nga sekretet e kohës tonë nuk shfaqet këtu, muzeu përsëri përpiqet të mbetet bashkëkohor.
Historiani i muzeut, Thomas Boghardt po përshkruan sfidat me të cilat ndeshen vizitorët në një pavion interaktiv të muzeut të quajtur Operacioni i Spiunazhit, ku vizitorët do të kërkojnë një pajisje bërthamore të vjedhur.
“Sa më i mirë të jesh aq më shumë informacione do të gjesh. Në fund të fundit ky është operacion spiunazhi. Mbledh informacione dhe vendos – çfarë veprimi duhet të bëj më pas?”
Sigurisht që kjo bën të nevojshme çështjen e kundër-spiunazhit.
“Siç e dini, ai që është patriot për dikë, mund të jetë tradhëtar për dikë tjetër, por cili ishte në të vërtetë motivacioni, cila ishte ideologjia? Kështu që përpjekja për të gjetur sekretet dhe historitë pas tyre, është pjesë e asaj që i tërheq njerëzit”, tha zoti Earnest.
Kërkimi i sekreteve përmes spiunazhit vazhdon edhe sot. Sipas Muzeut të Spiunazhit më shumë spiunë punojnë tani në Washington DC sesa në çdo qytet tjetër të botës. //kk//