Bisedimet amerikano-ruse të nivelit të lartë në Moskë dështuan të sheshojnë mosmarrëveshjet mes dy vendeve lidhur me planet e Shteteve të Bashkuara për dislokimin e sistemit të mbrojtjes nga raketat në Evropë. Sekretarja e shtetit Kondoliza Rajs dhe sekretari i mbrojtjes, Robert Gejts u paraqitën homologëve të tyre rusë Sergei Lavrov dhe Anatoli Serdjukov propozime që synonin të ulnin shqetësimet e rusëve se sistemi kërcënon vendin e tyre.
Rusia e kundërshton ashpër planin amerikan për të vendosur një sistem mbrojtës nga raketat në Poloni dhe Çeki. Sistemi synon të ofrojë mbrojtje nga një goditje e mundshme me raketa nga Irani.
Rusia e shikon këtë nismë si një kërcënim dhe këmbëngul se Irani nuk ka në dispozicion raketa që mund të mbërrijnë deri në Amerikë. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të pezullojnë planin dhe tha se ekspertët rusë dhe amerikanë do të synojnë të hartojnë kriteret për të vlerësuar rrezikun iranian. Ai shprehu shpresë se nuk do të ketë nevojë për një sistem mbrojtës nga raketat.
Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs tha se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i pezullojnë planet për dislokimin e sistemit.
“Shtetet e Bashkuara kanë filluar negociatat me partnerët tanë dhe këto diskutime do të vazhdojnë. Paralelisht ne do të punojmë për të qetësuar shqetësimet e Moskës rreth natyrës së sistemit. Ne besojmë se mund t’i sqarojmë paqartësitë dhe jemi të përgatitur ta bëjmë këtë”.
Sekretari amerikan i Mbrojtes Robert Gejts u përpoq përsëri gjatë bisedimeve të sotme t’i jepte sigurime Rusisë se sistemi nuk paraqet kërcënim për të, por Ministri i Jashtëm Lavrov nuk ndryshoi qëndirm.
“Ministri Lavrov thotë se Sekretari Gates e kuptonte shqetësimin rus për një rrezik të mundshëm nga ky sistem. Ai përspëriti gjithashtu deklaratat e bëra nga zyrtarët e tjerë rusë sipas së cilave vendit të tij do t’i duhej të ndërmerrte hapa për të neutralizuar rrezikun".
Presidenti rus Vladimir Putin u takua me ministrat e tij të jashtëm dhe të mbrojtes dhe homologët e tyre amerikanë, para se ata të hynin në bisedime. Zoti Putin paralajmëroi se pala ruse mund të tërhiqet nga Traktati për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi, nëse vendet e tjera që kanë prodhuar armë të tilla, nuk detyrohen të bëhen pjesë e tij. Traktati u miratua në vitin 1987, për të ndaluar armët bërthamore me rreze të mesme veprimi, që në atë i kishin vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik.
Sekretari Gates shprehu shqetësimin për paralajmërimin e zotit Putin për t’u tërhequr nga Traktati për Forcat Konvencionale në Evropë, për shkak të një mosmarrëveshjeje lidhur me një kërkesë që Perëndimi i bëri Rusisë për të tërhequr trupat nga Moldova dhe Gjeorgjia. Në bisedime nuk mori zgjidhje as kjo çështje dhe as riautorizimi i një marrëveshje për kufizimin e raketave strategjike, së cilës i mbaron afati në vitin 2009.
Megjithëse takimi i Moskës nuk shënoi ndonjë arritje, Sekretari Gates thotë se nëse të dyja palët punojnë së bashku, ai do të shënonte një hap të rëndësishëm strategjik në marrëdhëniet dypalëshe. //iç//