Lidhje

Khalilzad: Statusi i Kosovës të zgjidhet sa më shpejt


Administratori i Kosovës Joakim Ryker informoi dje Këshllin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi gjendjen në Kosovë. Pas takimit, ambasadori amerikan në OKB, Zalmai Khalilzad tha se Shtetet e Bashkuara kërkojnë që statusi i Kosovës të zgjidhet sa më shpejt. Ndërsa ambasadori rus, Vitali Çurkin, tha se zgjidhja për Kosovën duhet të vijë vetëm përmes negociatave.

Çështja e statusit nuk ishte në rendin e ditës të takimit të Këshillit të Sigurimit me administratorin e Kosovës Joakim Ryker, por komentet e diplomatëve u përqëndruan pikërisht tek statusi.

Ambasadori amerikan në OKB, Zalmai Khalilzad tha se negociatat nuk duhen zgjatur përtej 10 dhjetorit.

“Është mendimi i Shteteve të Bashkuara se përpjekja e trojkës duhet të përfundojë dhe për këtë ka një mandat, më 10 dhjetor. Zgjidhja më e mirë do të ishte që palët, shqiptarët dhe serbët, të arrinin një marrëveshje, por gjendja e tanishme nuk mund të vazhdojë pafundësisht, pa përcaktuar statusin, pasi mundësia për destabilimin e Kosovës është e madhe. Pikëpamja jonë, është se statusi i Kosovës duhet të përcaktohet dhe duhet të përcaktohet shpejt. Preferenca do të ishte marrëveshja, por koha po mbaron dhe urojmë që treshja të ketë sukses, përndryshe ne duhet të marrim një vendim me forma të tjera”.

Komentet e tij ishin në kontrast me ato të ambasadorit të Rusisë në OKB Vitaly Çurkin, i cili theksoi se synimi kryesor duhet të jetë arritja e një marrëveshje të negociuar. Zoti Çurkin shprehu shpresë për arritjen e një marrëveshjeje dhe ai nuk e përjashtoi mundësinë e zgjatjes më tej të negociatave.

“Për mua mund të ketë një numër skenarësh pas 10 dhjetorit. Ndoshta mandati i Treshes mund të zgjatet, ndoshta mund të krijohet një mandat tjetër, ose mund të gjendet një tjetër formë për të vazhduar negociatat. Por skenari tjetër është i papranueshëm. Çdo shpallje e pavarësisë në mënyrë të njëanshme nuk do të sillte asnjë zgjidhje, as stabilitet në Kosovë, as stabilitet në rajon dhe as stabilitet ndërkombëtar”.

Dy zyrtarët i bënë këto komente pas një takimi të këshillit të sigurimit me administratorin e Kosovës Joakim Ryker ku Këshilli u informua për situatën dhe përgatitjet për zgjedhjet e muajit të ardhshëm në Kosovë.

Ndërkohë, kryeministri Agim Çeku tha se Kosova do të shpallë pavarësinë nga Serbia nëse deri më 10 dhjetor, kur duhet të përfundojnë negociatat shtesë për statusin, nuk arrihet ndonjë rezultat. Zoti Çeku i bëri komentet dje në Londër, ku negociatorët e Prishtinës shkuan për të kërkuar mbështetjen britanike për pavarësinë e Kosovës.

Javën tjetër përfaqësues të Prishtinës dhe Beogradit takohen në Bruksel me treshen ndërkombëtare për të negociuar për statusin. Vëzhguesit i shohin si të pakta shpresat për arritjen e një marrëveshjeje.

Duke shprehur angazhimin amerikan për pavarësinë e Kosovës Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs theksoi kohët e fundit se pavarësia është zgjidhja e vetme që do të sillte stabilitet në Ballkan.//iç//

XS
SM
MD
LG