Lidhje

Bugajski: Statusi i Kosovës duhet të zgjidhet para samitit të NATO-s


Drejtori i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, Janusz Bugajski, deklaroi në Prishtinë se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet para samitit të NATO-s që do të mbahet në prill të vitit të ardhshëm në Bukuresht. Ai tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian duhet të vendosin rreth hapave të ardhshëm për statusin e Kosovës, se a do të shkojë kjo çështje prapë në Këshillin e Sigurimit apo do të zgjidhjet jashtë këtij institucioni.

Këto komente Zoti Bugajski i bëri gjatë konferencës mbi qeverisjen efektive në një shtet funksional, të organizuar nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. “Statusi i Kosovës duhet të zgjidhet para samitit të NATO-s në Bukuresht. Me fjalë të tjera, mbi statusin e Kosovës duhet të vendoset në tre muajt pas dhjetorit. Nuk mund të lejojmë shtyrje të tjera", u shpreh zoti Bugajski.

Edhe analisti për çështje të Ballkanit, Tim Judah, shfaqi mundësinë e një shtyrjeje të mëtejme të zgjidhjes së çështjes së Kosovës pas dhjetorit. Duke iu referuar pavarësisë së njëanshme, zoti Judah tha se pala kosovare do të mund ta shpallte pavarësinë në mënyrë të njëanshme nëse përveç Shteteve të Bashkuara edhe Bashkimi Evropian do ta njihte shtetin e ri. “Mendoj se pala kosovare do të shpall pavarësinë në mënyrë të njëanshme vetëm nëse shumë vende do ta njohin shtetin e ri. Amerikanët tashmë kanë deklaruar se do ta mbështesin një vendim të tillë, sikurse edhe Britania e madhe dhe Franca. Por, këto të fundit nuk duan ta përçajnë Bashkimin Evropian, kështu që çdo gjë varet nga Gjermania, dhe nëse ajo vendos t'i bashkohet këtyre vendeve atëherë edhe Italia dhe shtetet e tjera do të pajtohen me një vendim të tillë”, deklaroi analisti për çështje të Ballkanit, Tim Judah.

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janic, ndërkaq Prishtinën dhe Beogradin i ka quajtur faktorë të rëndësishëm por jo kryesor në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Sipas zotit Janic, janë Moska dhe Uashingtoni ato të cilat do të marrin vendimin e drejtpërdrejtë. “Bashkimi Evropian po luan rolin e një ureje lidhëse duke bërë përpjekje të mbush zbrazësinë ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit", tha zoti Janiç, duke shtuar se vendimi do të merret në mënyrë të drejtpërdrejt në mes Amerikës dhe Rusisë me ndihmën e Gjermanisë dhe të Francës për shkak të çështjeve energjetike.

Analistët ndërkombëtarë nuk mendojnë se organizimi i një konference ndërkombëtare, të ngjashme me atë të Daytonit për Bosnjën, e propozuar ditë më parë nga Përfaqësuesi i BE-së në bisedimet për Kosovën, Wolfgang Ischinger, do ta zgjidhte statusin e Kosovës.

Ndërkohë, zëdhënësi i Ekipit të Unitetit, Skënder Hyseni, tha sot se Prishtina zyrtare nuk ka marrë ndonjë kërkesë nga ndërmjetësit ndërkombëtarë për organizimin e ndonjë konference të tillë. Zoti Hyseni tha se është qëndrim i Ekipit të Unitetit se nuk mund të tërhiqet asnjë paralele mes Kosovës dhe Bosnjës, sepse janë dy çështje të ndryshme.//rd//

XS
SM
MD
LG