Lidhje

Paris: Vandalët dëmtojnë një pikturë të Monesë


Në Francë, disa vandalë hynë me forcë në një muze arti në Paris gjatë një festivali dhe dëmtuan rëndë një vepër të piktorit të impresionizmit francez, Clod Monet.

Zyrtarët e Muzeut të Orseit thanë dje se vandalët hynë nga një derë e pasme e muzeut dhe e goditën me grusht, duke shkaktuar një të çarë 10 centimetërshe tek kryevepra e Shekullit të 19, e titulluar “Ura në Arzhontëj”. Pas këtij veprimi, ata u larguan me vrap, pasi i ranë sistemit të alarmit.

Zyrtarët e Muzeut thanë se dëmtimi i pikturës është për të ardhur keq, por shtuan se dëmi mund të riparohet. Incidenti ndodhi gjatë një festivali që u zhvillua gjatë gjithë natës të shtunën dhe të dielën nëpër rrugët e Parisit dhe ngriti pikëpyetje lidhur me sigurinë në muzeumet franceze, pas kryerjes të disa krimeve të kësaj natyre.

Në një tjetër incident të ngjashëm, një grua do të dalë para gjykatës nesër, nën akuzat se ka fshirë të kuqin e buzëve tek një pikturë e artit amerikan Cy Twombly në muajin korrik, në qytetin e Avinjonit. Në muajin gusht, persona të armatosur me maska hynë me forcë në një muze në Nice dhe grabitën katër piktura të vlefshme.//lk

XS
SM
MD
LG