Lidhje

Hillari Klinton e vendosur të bëhet gruaja e parë presidente e SHBA-së


Senatorja Hillary Klinton vazhdon të kryesojë në fushatën e kandidatëve të Partisë Demokrate për president. Duke i vënë theksin përgatitjes dhe përvojës së saj, ajo është e vendosur që të bëhet gruaja e parë që zgjidhet për Shtëpinë e Bardhë.

Hillary Klinton nuk ka nevojë për prezantim. Ish zonja e parë është zgjedhur dy herë senatore në shtetin e New Yorkut. Ajo është tani e vendosur të fitojë fushatën për Shtëpinë e Bardhë.

”Unë jam në garë për të firuar”.

Hillary Klinton ishte veçanërisht aktive si Zonja e Parë gjatë dy mandateve të bashkëshortit të saj në Shtëpinë e Bardhë. Larri Sabato, Drejtor i Qendrës për Politikën në Universitetin e Virxhinia, thotë se kjo e bën Senatoren Klinton një kandidate shumë të përshtatëshme.

”Praktikisht ajo ishte bashkë-presidente dhe çdo kush e di këtë. Prandaj në një farë mënyre ajo po kanditon për një mandat të tretë. Si kandidate e Partisë Demokrate, si kandidate e një administrate, si kandidate e organizatës Klinton, është e qartë se ajo ka mjaft shanse për të fituar emërimin”.

Por megjithë avantazhin që ka në fushatë, disa njerëz, përfshirë edhe anëtarë të partisë së saj, e shohim me skepticizëm mundësinë që ajo të fitojë në zgjidhjet e përgjithëshme. Historikisht, senatorët nuk kanë qënë të sukseshëm në fushatat e tyre presidenciale.

Madje, senatorja Klinton shikohet si një figurë shumë polarizuese. Sondazhet tregojnë se ajo ka më shumë pikë negative se kandidatët e tjerë nga të dy partitë dhe ato e kanë burimin kryesisht në vitit e saj në Shtëpinë e Bardhë. Ajo kryesoi një grup pune të Shtëpisë së Bardhë për të reformuar sistemin e kujdesit shëndetësor amerikan.

”Ka diçka të padrejtë në sistemin tonë të shëndetësisë dhe ai duhet reformuar”.

Por plani i saj nuk u miratua nga Kongresi pasi u konsiderua shumë kompleks dhe burokratik. Zonja Klinton u kritikua gjithashtu edhe për rolin e saj në një shitblerje toke, çështje që njihet si Uajtuoter. Më pas edhe qendrimi i saj ndaj marrëdhënieve të të shoqit me praktikanten e Shtëpisë së Bardhë Monika Luinski u bë objekt kritikash. Të gjitha këto mund të ndikojnë në fushatën e saj për Shtëpinë e Bardhë.

Por vitet e saj disi të trazuara si zonjë e parë kanë një ndryshim të madh me vitet e saj në Senat, ku ajo ka mbajtur vazhdimisht një qendrim centrist në votim. Votimi i saj pro autorizimit të ndërhyrjes ushtarake në Irak ka irituar demokratët liberalë të partisë së saj, por ajo thotë se përgjegjësia për këtë i përket vetë asaj.

"Unë mbaj përgjegjësi për këtë votim. Por kjo nuk mund të çbëhet, megjithëse do ta dëshiroja një gjë të tillë”.

Analistët politikë thonë se përvoja e Senatores Klinton në Komisionin e Senatit për Forcat e Armatosura dhe dëshira e saj për të bashkëpunur ngushtë me republikanët në çështjet e sigurimit kombëtar mund ta ndihmojnë atë të fitojë më shumë mbështetje. Xhan Fortier i Institutit Amerikan Enterprise thotë:

”Duke theksuar përvojën e saj ajo paraqitet si një individ sensibël, me një qendrim centrist, pragmatike dhe e aftë për të përmbushur detyrimet e pushtetit”.

Zoti Fortier dhe analistë të tjerë thonë se Senatorja Klinton po bën një fushatë të sofistikuar. Ajo po përpiqet që jo vetëm të fitojë emërimin e partisë së saj, duke siguruar mbështetjen e bazës liberale të kësaj partie, por me sa duket ajo po përpiqet të shmangë edhe sulmet e republikanëve, në qoftë se ajo do të anonte më tepër nga e majta. Kjo strategji u duk qartë kur Senatorja Klinton iu përgjegj një pyetjeje gjatë debatit të kandidatëve demokratë për president në Çikago.

"Unë dua që demokratët të fitojnë dhe dua një parti të bashkuar demokrate që t’u qëndrojë përballë republikanëve dhe e them me bindje se për 15 vjet unë i kam rezistuar makinerisë së krahut të djathtë, gjë që më ka bërë më të fuqishme, prandaj unë jam kandidatja më e përshtatshme”.

Kjo është një shprehje vetbesimi e Zonjës së Parë të Amerikës që për herë të parë është zgjedhur senatore dhe që tani dëshiron të hyjë përsëri në histori si gruaja e parë presidente. //iç//

XS
SM
MD
LG