Lidhje

Konferencë për problemet mesdhetare në Siçili


Ekspertë ndërkombëtarë, gjatë një konference mbi sigurinë dhe bashkëpunimin në Mesdhe, Lindjen e Mesme dhe Azi, janë duke u përqëndruar në bisedimet rreth problemeve mesdhetare dhe suksesit në Afganistan.

Ekspertë për sigurinë dhe bashkëpunimin, qe janë duke marrë pjesë në një konferencë dy-ditore në Palermo vunë theksin në nevojën për përparimin e dialogut mesdhetar. Ata përmendën konfliktin midis Izraelit dhe palestinezëve, situatën në Liban dhe në Ballkan dhe problemin e Qipros, si problem që kërkon një vemendje të menjëhershme dhe të vazhdueshme.

Profesori Muhamed Nadir Aziza, Drejtor i Përgjithshëm i Observatorit të Mesdheut, një organizatë që financohet pjesërisht nga Ministria e Jashtme e Italisë, i tha pjesëmarrësve në takim, se rajoni i Mesdheut, me një popullsi prej 450 milionë banorësh, është i ndërlikuar, sepse vendet që e përbëjnë atë kanë kultura dhe politika të ndryshme.

Zoti Aziza tha se vendet në veri dhe në jug të brigjeve të Mesdheut duhet të bashkohen për të përballuar sfidat, siç është kërcënimi nga terrorizmi. Ai, gjithashtu mbështeti propozimin për një Bashkim Mesdhetar, të propozuar nga Presidenti i Francës, Nikola Sarkozi.

Zoti Aziza tha se nuk ekziston një organizëm ligjor që të përfaqësojë vendet përgjatë Mesdheut. Ai tha se ekziston Evropa, Magrebi, Lindja e Afërt, e Mesmja apo e Largmja, por jo një institucion për Mesdheun.

Folësit në konferencën e organizuar nga Komiteti Italian i Atlantikut dhe Shoqata e Marrëveshjes së Atlantikut, si dhe organizata që punojnë për sigurimin në vendet e NATO-s, u përqëndruan në situatën në Afganistan dhe nevojën për misionin e NATO-s për të patur atje sukses.

Ekspertët ishin të një mendimi se Talebani dhe Al-Kaida nuk duhet të lejohen të rivendosin sundimin e tyre të egër mbi Afganistanin.

Gary Robinson, Drejtor i Sigurimit dhe Marrëdhënieve Politike me Evropën në Departamentin e Shtetit, tha se ky do të jetë një kërcënim i madh për një kohë të gjatë për popullin e Afganistanit, por dhe për rajonin rreth e rrotull, Lindjen e Mesme, dhe shoqëritë perëndimore në përgjithësi.

“Në qoftë se ne lejojmë që Afganistani përsëri të bëhet një shtet i dështuar dhe vendstrehim për terroristët, kjo do të sjellë përsëri shpërndarjen e ekstremistëve të dhunshëm dhe ndoshta rajoni do të përfshihej nga trazira më të shumta.”

Zoti Robins theksoi se Afganistani duhet të ndihmohet, për t’u zhvilluar ekonomikisht, në përparimin e shoqërisë civile, vendosjen e ligjit dhe mbi të gjitha, mundësinë për të marrë përgjegjësinë mbi vete. Ai tha se eksperienca në Afganistan tregon se rindërtimi dhe qëndrueshmëria kërkojnë një përpjekje të përbashkët të komunitetit ndërkombëtar.//lk

XS
SM
MD
LG