Lidhje

Takimi "Dy Plus Dy" SHBA-Rusi do të trajtojë edhe çështjen e Kosovës


Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit tha dje se Shtetet e Bashkuara nuk i kanë dhënë fund përpjekjeve për të nxitur reformat demokratike në Rusi dhe se do të vazhdojnë të bëjnë ç’është e mundur për të nxitur pluralizmin në atë vend. Zyrtarë të lartë të administratës së Presidentit Bush javën e ardhshme kanë në plan të shkojnë në Moskë, për një dialog që do të prekë një sërë çështjesh, mes tyre edhe statusi i Kosovës.

Vizita e pazakontë në Moskë e Sekretares amerikane të Shtetit Kondoliza Rajs dhe e Sekretarit të Mbrojtjes Robert Gejts ndodh pas sugjerimit që bëri këtë javë Presidenti rus Vladimir Putin, se ai mund të qëndrojë në pushtet, edhe pas përfundimit të mandatit të tij vitin e ardhshëm, duke u bërë kryeministër i vendit.

Por Ndimës Sekretari i Shtetit Daniel Frid, e hodhi poshtë një njoftim të botuar dje në gazetën "Washington Post", se ky zhvillim ka bërë që administrata e Presidentit Bush t’u japë fund shpresave për të ndikuar në drejtimin që do të marrin zhvillimet brenda Rusisë.

Në një konferencë shtypi që mbajti lidhur me takimet javës së ardhshme, të ashtuquajtura “Dy Plus Dy”, të Sekretares së Jashtme Rajs dhe Sekretarit të Mbrojtes Gejts, me homologët e tyre rusë, zoti Frid tha se nxitja e institucioneve demokratike pluraliste, ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë një pjesë e rëndësishme e programit të Shteteve të Bashkuara për Rusinë.

"Fati i Rusisë do të përcaktohet nga vetë rusët. Por Shtetet e Bashkuara kanë interes të madh tek e ardhmja e Rusisë. Ne flasim hapur për këtë. Ne e kemi bërë të njohur pikëpamjen tonë. Ashtu, sikurse tha Sekretarja Rice, me sa mundemi, për të ushqyer dhe për të mbështetur një shoqëri civile të pavarur në Rusi. Ne nuk e fshehim këtë. Jemi krenarë për përpjekjet tona dhe do të vazhdojmë ta bëjmë një gjë të tillë, - tha zoti Frid.

Zoti Frid citoi shqetësimet e shprehura javën e kaluar nga sekretarja Rajs, lidhur me përqëndrimin e pushtetit në Kremlin dhe mungesën e atyre që ajo i cilësoi “institucione kundërvepruese”.

Ndihmës Sekretari i Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë kundërshtime ndaj perspektivës së një Rusie të fuqishme, por besojnë se një Rusi me institucione të pavarura të fuqishme dhe me një ekuilibër të brendshëm, do të jetë, sipas fjalëve të tij, “një partner më i fortë për ne dhe një lojtar më e mirë në arenën ndërkombëtare”.

Dialogu dy-palësh mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë pritet të përfshijë edhe statusin e Kosovës. Rusia ka mbështetur Serbinë në kundërshtimin e saj ndaj pavarësisë së Kosovës. Por Moska, në të njëjtën kohë, bën pjesë në “Trojkën”, SHBA-Rusi-BE, që po mbështet negociatat mes shqiptarëve dhe serbëve, të cilat filuan javën e kaluar. Këto negocisata synojnë të zgjidhin çështjen e statusit të Kosovës brenda afatit të 10 dhjetorit, të caktuar nga Kombet e Bashkuara.

Ndihmës Sekretari i Shtetit Frid e mori me rezervë idenë e shprehur, se përplasja mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për Kosovën është e paevitueshme dhe tha se zyrtarët amerikanë shpresojnë për një zgjidhje të statusit përfundimtar të Kosovës, e cila të jetë “praktike, serioze dhe që ta çojë mbarë rajonin përpara”. Zoti Frid tha se dhjetori do të jetë një muaj me vendime të vështira lidhur me të ardhmen e Kosovës.

"Ne shpresojmë së tepërmi që bashkësia ndërkombëtare ta mbështesë zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës në një mënyrë, e cila të jetë praktike dhe serioze dhe që ta çojë rajonin përpara.... Është e logjikshme, tha zoti Frid, që për çështjen e Kosovës, duhet të përparojmë me shpjetësi, që pas përfundimit të aftit të 10 dhjetorit të negociatave, të kemi kemi gati një vendim. Por le të mos spekullojmë lidhur me këtë çështje, - tha zoti Frid.- Le t’i mbështesim negociatat, duke shpresuar që në të gjendet një gjuhë e përbashkët. Por pas përfundimti të afatit të dhjetori, nuk ka kuptim të vazhdohen më negociatat, pasi të gjitha çështjet janë bërë tashmë të njohura."

Ndihmës Sekretari Frid tha se javën e kaluar, ministrat e Grupit të Kontaktit, mes tyre edhe Ministri i Jashtëm rus Lavrov dhe sekretarja Rajs, e autorizuan Trojkën të nxisë përparimin e bisedimeve mes serbëve dhe shqiptarëve, për të ofruar ide të reja, për të qenë aktivë dhe për gjetjen e një gjuhe të përbashkët për zgjidhjen e çështjeve. Por të gjithë e dimë, tha zoti Frid, se dhjetori po afron dhe se duhen marrë vendime të vështira.

Ndihmës Sekretari Frid tha se në korrik Presidenti Bush dhe ai rus Putin ranë dakord, që në takimin “Dy Plus Dy” të trajtoheshin edhe probeme dy-palëshe, si kundërshtimi i Rusisë ndaj planit amerikan për vendosjen e disa elementëve të një sistemi të mbrojtjes nga raketat, në Poloni dhe Republikën Çeke, me objektiv Iranin.

Rusia thotë se ky sistem do të minonte marrëveshjen për frenimin e armëve bërthamore dhe ka kërcënuar se deri në dhjetor do të tërhiqet nga Traktati mbi Kufizimin e Armëve Konvencionale, i arritur pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Nga ana tjetër, Rusia ka propozuar një plan alternativ kundër raketave, ku do të përfshihej edhe një qendër radarësh në Azerbaxhan, i operuar nga Rusia.

Zoti Frid tha se Shtetet e Bashkuara mendojnë se propozimi rus është ”interesant” , se ai duhet konsideruar dhe se SHBA besojnë se mund të ketë vend për bashkëpunim në këtë fushë. Takimi “Dy Plus Dy” mes sekretares Rajs, Sekretarit Gejts dhe homologëve të tyre rusë do të zhvillohet nga 12-13 tetorit në Moskë.//lk

XS
SM
MD
LG