Lidhje

Autoritetet thonë se Kosova nuk ka nevojë për struktura paralele të sigurisë


Autoritetet në Kosovë thanë sot se vendi nuk ka nevojë për struktura jo institucionale të sigurisë, ndërsa u bënë thirrje qytetarëve që të ndihmojnë në ruajtjen e qëndrueshmërisë në Kosovë. Komentet e tyre pasuan një kronikë të Radiotelevizionit të Kosovës në të cilën u shfaqën persona të armatosur dhe të maskuar me shenjat e Armatës Kombëtare Shqiptare, një organizatë që siç thuhet synon çlirimin e trojeve shqiptare. Një nga personat e maskuar i tha RTK-së se paraqitja e tyre ka pasuar kërcënimet me luftë nga paraushtarakët serbë, duke ju referuar paralajmërimeve të një grupi serb i cili është kërcënuar se do të luftojë për të kundërshtuar pavarësimin e Kosovës.

Presidenti i vendit Fatmir Sejdiu tha ndërkaq sot se Kosova ka nevojë për strukturat e saj institucionale të sigurisë dhe qytetarët duhet të veprojnë me maturi në çdo situatë që ka të bëjë me qëndrueshmërinë e Kosovës.

“Po ashtu mund të them se Kosova nuk mund të jetë e provokuar dhe s’duhet të provokohet nga nxitjet për luftë që vijnë përreth saj. Për ne është po kështu e rëndësishme se në partneritet të plotë me bashkësinë ndërkombëtare ne e kemi përfunduar një luftë që ka qenë e përgjakshme”, tha ai.

Presidenti Sejdiu shprehu besimin e plotë në forcat paqeruajtëse të NATO-s dhe mekanizmave tjerë të sigurisë në përkushtimin e tyre ndaj ruajtjes së paqes dhe qëndrueshmërisë në Kosovë.

Kryeministri Agim Çeku, tha ndërkaq se Kosova duhet dhe do të mbrohet gjithmonë vetëm në rrugë institucionale.

"Shfaqja e individëve të tillë është shfaqje që nuk dërgon mesazh të mirë për Kosovën dhe iu bëjë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të kenë rol për sigurinë e Kosovës dhe të mbështesin dhe të bashkëpunojnë me institucionet e sigurisë. Kjo është rruga më e drejtë për ta mbrojtur, për ta ndërtuar Kosovën dhe për të ruajtur paqen dhe stabilitetin e Kosovës", tha kryeministri Çeku "

Në vitin 2003, Misioni i Kombeve të Bashkuara e ka cilësuar si organizatë terroriste Armatën Kombëtare Shqiptare e cila në atë kohë mori përsipër përgjegjësinë për disa incidente në pjesën veriore të Kosovës. Zyrtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it thanë se personat e maskuar dhe të armatosur do të trajtohen si të paligjshëm, dukë nënvizuar se të vetmet forca të sigurisë në Kosovë janë ato të KFOR-it, policisë se Kombeve të Bashkuara dhe Shërbimit Policor të Kosovës. Aktualisht rreth 16 mijë ushtarë të NATO-s dhe rreth 10 mijë pjesëtarë të policisë po hartojnë plane për t'u përballur me situatat që mund të krijohen në periudhën e negociatave për statusin politikë të Kosovës, të cilat po përcillen me tensione për shkak të qëndrimeve deri tash të papajtueshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. //kk//

XS
SM
MD
LG