Drejtuesi i kompanisë private të sigurimit Blekuotër USA u doli në mbrojtje veprimeve të firmës së tij para një Komisioni të Kongresit që po shqyrton rolin e kompanive që kontraktohen për të kryer shërbime sigurimi në Irak dhe Afganistan. Ai dëshmoi në një kohë kur FBI-ja vazhdon hetimet mbi një incident të muajit të kaluar kur roje të kompanisë Blekuotër qëlluan mbi civilë irakianë duke lënë 11 të vdekur.
Drejtuesi i kompanisë Blekuotër, Erik Princ hodhi poshtë akuzat se rojet e sigurimit të kompanisë së tij shpesh tregohen të pakujdesshëm dhe jashtë kontrollit gjatë misioneve për mbrojtjen e personelit të Departamentit të Shtetit në Irak.
“Kur është fjala për vdekjen e personave të pafajshëm, kurdo qoftë, dua ta shpreh qartë se e konsideroj këtë një fakt tragjik. Çdo jetë, qoftë e një amerikani apo irakiani, është e çmuar. Megjithatë theksoj para Komisionit dhe publikut amerikan se besoj se ne kemi vepruar gjithmonë në mënyrë të rregullt”.
Zoti Princ dëshmoi në një seancë me pyetje-përgjigje të zhvilluar dje nga Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Mbikqyrje dhe Reforma në qeveri. Kryetari i Komisionit, demokrati Henri Uaksmën tha se qeveria duhet të hetojë nëse kompani private sigurimi si Blekuotër po dëmtojnë përpjekjet amerikane në Irak.
“Privatizimi i misioneve të sigurimit ka qënë me leverdi të madhe për Blekuotër. Por pyetja që ngre ky Komision është nëse ky privatizim është me leverdi për taksapaguesit amerikanë."
Ligjvënësi Uaksmën shprehu veçanërisht shqetësim lidhur me një raport të Departamentit të Shtetit ku thuhet se zyrtarë amerikanë kanë këshilluar firmën e zotit Princ të dëmshpërblente me para familjen e një truprojeje irakiane, i cili thuhet se u vra në dhjetor nga një punonjës i pirë i kompanisë Blekuotër. Ligjvënësi tha se Departamenti i Shtetit e ndihmoi kompaninë ta largonte punonjësin e saj nga Iraku 36 orë pas incidentit.
“Nëse kjo do të kishte ndodhur në Shtetet e Bashkuara, punonjësi i kompanisë do të ishte arrestuar dhe do të kishte filluar hetimi penal. Nëse një ushtar amerikan i pirë do të kishte vrarë një roje irakiane, ushtari do të kishte dalë para gjykatës ushtarake,” tha ligjvënësi.
Zoti Princ tha se individi ishte pushuar dhe gjobitur menjëherë.
“Por ne si kompani private nuk mund të bëjmë më tepër. Ne nuk mund ta ndëshkojmë, apo ta burgosim. Kjo i takon Departamentit të Drejtësisë. Ne nuk kemi autoritetin të vëmë në vend ligjin amerikan”.
Disa ligjvënës thanë se parametrat e mbikqyrjes së kompanive private të sigurimit që veprojnë në Irak janë të pamjaftueshme. Kreu i organizatës që përfaqëson industrinë private të sigurimit është i të njëjtit mendim. Dag Bruks kryeson Shoqatën Ndërkombëtare të Operatorëve për Paqe.
“Mendojmë se nuk ka pasur mbikqyrje të efektshme mbi këtë industri,” tha zoti Bruks.
Firmat private amerikane të sigurimit në Irak kanë imunitet nga ligji irakian dhe po ashtu nuk u nënshtrohen ligjeve të njëjta si ushtria amerikane. Por disa ekspertë ligjorë paralajmërojnë se ushtria amerikane nuk mund të operojë më në Irak pa u mbështetur në firma private si Blekuotër. Stiven Skunër është specialist ligjor për prokurimet qeveritare në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit Xhorxh Uashington.
“Një ndër arsyet përse në Irak veprojnë kaq shumë kompani kontraktore është sepse Presidenti apo Kongresi duan që publiku të mendojë që në fushën e betejës kemi vetëm një numër të caktuar trupash. Nëse do të donim të pakësonim numrin e kontraktorëve, do të duhej të dërgonim ushtarë të tjerë, por në realitet, sa më shumë e konsumojmë ushtrinë, dhe nëse nuk reduktojmë ambicjet dhe përpjekjet tona në Irak, do të vazhdojmë të punësojmë gjithnjë e më shumë, e jo më pak, kontraktorë," thotë eksperti ligjor.
Zoti Skunër thotë se në fillim të vitit 2007, 1 ndër 4 të vrarë në radhët e amerikanëve dhe aleatëve të tyre në Irak ishin kontraktorë ose civilë. //ad//