Lidhje

Prova të reja për sistemin e planifikuar të mbrojtjes nga raketat


Pentagoni thotë se një provë e suksesshme e zhvilluar kohët e fundit në sistemin e mbrojtjes nga raketat mund të rrisë përkrahjen për këtë projekt të debatueshëm i cili është krijuar për të mbrojtur Amerikën nga raketat që mund të hidhen nga vende të tilla si Koreja e Veriut dhe Irani.

Pentagoni thotë se të premten e kaluar, një raketë e hedhur nga Baza e Forcave Ajrore Vanderberg në Kaliforni fluturoi mbi Oqeanin Paqësor dhe shkatërroi një raketë të hedhur 24 minuta përpara nga Ishulli Kodiak në Alaskë. Testi u bë për të simuluar një sulm nga një vend si Koreja e Veriut ndaj Shteteve të Bashkuara. Ky sistem është krijuar për të mbrojtur vendin kundër raketave balistike me rreze të gjatë të cilat mund të përdoren për të sulmuar një qytet amerikan me anë të një arme të shkatërrimit në masë.

Drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen nga Raketat në Pentagon, Leitnant Gjenerali Henry Obering, thotë se aftësia për të gjurmuar dhe vënë nën shenjestër raketa të veçanta është qenësore për mbrojtjen e vendit. “Ne kemi parë përparimin e teknologjisë së raketave në Korenë e Veriut nga ato me rreze të shkurtër tek ato me rreze të gjatë, dhe ata e kanë përmirësuar gjithnjë e më tepër këtë teknologji. Ne nuk i dimë qëllimet e tyre. Megjithëse rrethanat tregojnë për një qëllim armiqësor, prandaj ne duhet të jemi të vëmendshëm. E njëjta gjë vlen tani edhe për Iranin. Edhe ata kanë përparuar nga raketat me rreze të shkurtër tek ato me rreze të gjatë.”

Për t’u mbrojtur nga raketat e Iranit, Shtetet e Bashkuara kanë propozuar ndërtimin e një baterie prej 10 raketash interceptore në Poloni dhe një sistem radarësh në Republikën Çeke. Rusia e kundërshton me forcë këtë plan, dhe ka sugjeruar që në vend të tij të përdoret një radar i kohës së ish-Bashkimit Sovietik në Azerbajxhan si alternativë. Gjenerali Obering thotë se testi i suksesshëm mbi Paqësor mund të rrisë përkrahjen e qeverive evropiane të cilat kanë ngurruar të mbështesin propozimin për mbrojtjen nga raketat. “Mendoj se kjo na ndihmon vërtet, sepse në bazë të bisedave që kam pasur me partnerët dhe aleatët evropianë dhe ato të NATOs në të kaluarën, një nga pyetjet që më bëjnë është se ky sistem nuk është provuar, nuk funksionon, atëherë përse shqetësoheni që tani. Dhe mendoj se ky test i përgjigjet kësaj pyetje.” Zoti Obering thotë se Pentagoni do të shtojë masa të tjera në testin e ardhshëm për të parë nëse raketat mbrojtëse mund të dallojnë një raketë sulmuese nga objekte të tjera në hapësirë që mund të përdoret si karrem.

Disa ekspertë të jashtëm dyshojnë që testi të ketë qenë aq realist sa ta bëjë sistemin të vlefshëm, veçanërisht kundër raketave që janë të mbrojtura edhe me masa të tilla primitive si balona që përdoren si karrem. Deri tani, sistemi i mbrojtjes nga raketat ka kushtuar 100 miliard dollarë, kosto të cilën gjenerali Obering e mbron. “Nëse do të jemi në gjendje të parandalojmë një sulm qoftë edhe në një qytet të vetëm amerikan, ne do ta kishim justifikuar çmimin e këtij programi. Ne mendojmë se programi ia vlen për shpenzimin që ka, veçanërisht tani që po shkojmë drejt një të ardhmeje të pasigurt, në të cilën nëse raketat vazhdojnë të përhapen ashtu siç kanë bërë në të kaluarën, nuk e dimë se kujt mund t’i bien në dorë.”

Zoti Obering thotë se që nga viti 2001 ka pasur gjashtë interceptime të suksesshme në nëntë teste të sistemit të mbrojtjes nga raketat me rreze të gjatë. Administrata e presidentit Bush i ka kërkuar Kongresit rreth nëntë miliard dollarë për Agjencinë e Mbrojtjes nga Raketat për vitin 2008, pavarësisht se Kongresi pritet ta ulë këtë shifër. //ad//

XS
SM
MD
LG