Gjykata Ndërkombëtare në Hagë ka liruar përkohësisht ish kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj për të marrë pjesë në ceremonitë mortore me rastin e vdekjes tragjike të nipit të tij në një aksident në fshatin Gllogjan të komunës së Deçanit.
Zoti Haradinaj do të qëndrojë në Kosovë deri më 7 tetor, dhe gjatë kësaj kohe nuk i lejohet asnjë kontakt me mjetet e informimit, veprimtari politike apo takime me zyrtare vendas apo ndërkombëtarë që nuk janë të përfshirë në çështjet e sigurisë.
Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u dorëzua vullnetarisht në Gjykatën e Hagës më 9 mars të vitit 2005 një ditë pas ngritjes së akuzave kundër tij në lidhje me veprimtarinë si një nga udhëheqësit e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nga qershori i vitit 2005 deri në muajin shkurt të këtij viti zoti Haradinaj ka qëndruar në Kosovë me kufizime nga Gjykata, ndërsa procesi kundër tij ka filluar me 5 mars të këtij viti. //rd//