Mijëra njerëz në Shtetet e Bashkuara që presin të bëhen qytetarë amerikanë janë në ankth sepse FBI-ja nuk ka dhënë miratimin për ta që të bëjnë betimin e qytetarisë. Irakianët, në veçanti, janë të irituar me ngadalësinë e kontrollit që bëhet për të kaluarën e tyre. Shumica e tyre erdhën në Shtetet e Bashkuara në vitet 1990, pa pasaporta dhe dëshërojnë që të largojnë nga Iraku pjesëtarë të familjeve.
Muhamet Katrani dhe vëllai i tij erdhën në Shtetet e Bashkuara si refugjatë. Ata u rritën në qytetin e Basras në jug të Irakut. Ata ndodheshin atje kur Sadam Huseini shtypi kryengritjen e Shi’itëve.
“Kryengritja filloi në Basra. Pastaj, mbas katër javësh lufte, na u desh të shkonim në Arabinë Saudite për të shpëtuar”.
Katrani, 36-vjeçar, duket i qetë dhe miqësor. Ai u rivendos në qytetin e Siatëllit, në shtetin e Washingtonit në vitin 1994, për të cilin thotë se është qytet i pastër, me njerëz të mirë dhe vend i mirë për të rritur fëmiijët. Atje u martua me një grua amerikane dhe tani dëshëron të bëhet qytetar amerikan. Zoti Katrani as nuk mendon se do të shkojë prapë në vendin e tij, pasi sipas tij, situata nuk është përmirësuar. Ai ka aplikuar për qytetarinë vitin e kaluar dhe kaloi intervistën dhe provimin për të marrë qytetarinë, duke kujtuar dhe datën e saktë.
“Unë e dhashë provimin më 11 maj të vitit të kaluar dhe e kalova. Ende jam duke pritur”, thotë zoti Katrani.
Në një çështje të tillë, një kandidat për t’u bërë shtetas duhet ta bënte betimin brenda një ose dy javësh. Por kur ky emigrant irakian merr në telefon dhe pyet për ndonjë gjë të re, e vetmja përgjigjë është: ‘FBI-ja akoma është duke bërë kërkime rreth teje’.
“Unë e di se ata kanë shumë aplikime. Ndoshta janë shumë gjëra më të rëndësishme se kërkimet mbi aplikimet për qytetarinë. Por, një vit e gjysëm, 2, 3 vjet, është me të vërtetë një kohë e gjatë. Njerëzit janë vazhdimisht në pritje kur ata aplikojnë për qytetarinë”.
Katrani thotë se personalisht njeh të paktën 60 irakianë të cilët erdhen në veriperëndim të Amerikës gjatë viteve 1990 dhe akoma janë duke pritur për përfundimin e hetimeve.
Vonesat e gjata nuk janë të kufizuara për irakianët. Projekti jofitimprurës për të Drejtat e Emigranëtve për Veriperëndimin, ka marrë gjithashtu ankesa nga shumë rusë, somalezë dhe kinezë. Drejtori ligjor, Matt Adams është përpjekur të shpejtojë çështjet e bllokuara të emigracionit.
“Ne qoftë se ju jeni me të vërtetë të shqetësuar rreth sigurimit kombëtar, përse ju jeni duke i lënë zvarrë këto hetime për pesë vjet? Në qoftë se dikush paraqet kërcënim për sigurinë tonë, më e mira është që ta zbulojmë në dy javët e ardhshme, në vend që të lëmë diçka mënjanë për pesë vjet. Këta janë të gjithë njerëz që janë kontrolluar dhe janë pranuar në këtë vend”.
Zyra e Shërbimeve të Qytetarisë dhe Emigracionit në Shtetet e Bashkuara sqaron se vonasat zakonisht shtohen prej një kontrolli më të gjerë nga FBI-ja rreth të kaluarës, e cila filloi mbas aktave terroriste të 11 shtatorit. Zëdhënësi i Sherbimit të Emigracionit, Chris Bentley thotë se shumica e qytetarëve të ardhshëm kalojnë kontrollin pa probleme.
“99 për qind e të gjitha çështjeve që ne i dërgojmë FBI-së për të kontrolluar kthehet brenda 6 muajve, që është shumë kohë para afatit që ne përcaktojmë në shkallë kombëtare për çështjet e qytetarisë. 1për qind tjetër, mund të kërkojë shumë vite për zgjidhje. Tani ne e shikojmë atë krejtësisht të papranueshme”.
Kështu thotë dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare, i cili mbikqyr shërbimin e emigracionit. Kohët e fundit ai njoftoi se është duke parë për mënyra të reja për të përshpejtuar kontrollet rreth së kaluarës, duke dhënë 6 milion dollarë për të shpejtuar punën e prapambetur.
Zëdhënësja e FBI-së, Robbie Burroughs tha se përmirësimet janë gjithashtu parësore dhe për agjencinë e saj.
“Nuk mendoj se do të shkojmë përsëri për një kontroll të imtësishëm. Ne nuk do të bëjmë lëshime për sigurinë në këmbim të një kthimi pak më të shpejtë të përgjigjeve. Disa nga përmirësimet për të cilat po shikojmë janë që të shtojmë numrin e punonjësve që merret me kontrollet e emrave”.
Avokatët e refugjatëve në veriperëndim të Shteteve të Bashkuara thonë se nuk do të kemi një zgjidhje të shpejtë. Për irakianët si Muhamet Katrani, i cili nuk ka pasaportë, mundësia për të mos udhëtuar i krijon nervozizëm.
“Duhet të kisha shkuar të vizitoja familjen një vit e gjysëm më parë, por e anullova. Babai me vdiq një vit më parë. Unë nuk e pashë atë sepse nuk mund të udhëtoja”.
Zoti Katrani punon tani si këshilltar për refugjatët dhe përkthyes. Ai njeh shumë refugjatë me gra dhe familje të mbetura në Irak, të cilët janë të dëshpëruar për t’u larguar. Pa shtetësi, bashkimi familjar mbetet pezull. (ze)