Lidhje

Ekspertët thonë se rreziqet nga jashtë sfidojnë sigurinë në Kosovë


Ekspertët e sigurisë në Kosovë tërheqin vërejtjen se zhvillimi i dy proceseve njëkohësisht, atij për zgjidhjen e statusit dhe atij të zgjedhjeve të reja parlamentare dhe vendore, rëndojnë gjendjen e sigurisë edhe ashtu të brishtë.

Ngjarjet e ngjashme si shpërthimi i së hënës në Prishtinë që la pas vetes dy të vrarë dhe 9 të plagosur, ndonëse është vlerësuar se nuk ka prapavijë politike, e rëndojnë gjendjen e sigurisë e cila sipas Nuredin Ibishit, ekspert i çështjeve të sigurisë, ende nuk është në shkallë të duhur.

“E llogaris mjaft të brishtë, në kuptimin e asaj se koincidojnë dy ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme për Kosovën dhe në këto trende të zhvillimit kur sektori i sigurisë, arkitektura e sigurisë ende nuk e ka marrë formën e duhur, kanë ardhë dy ngjarje të cilat mendoj se janë të papërballueshme jo vetëm për institucionet apo sektorin vendor të sigurisë por edhe ndërkombëtarë”, tha zoti Ibishi.

Ai shfaq shqetësimin se zgjedhjet e ndërlikojnë situatën, por procesi i statusit është thelbësorë në këtë çështje. Sipas tij gjërat do të varen nga kahet që do të marrë ky proces, por rreziqet më të mëdha do të vijnë nga jashtë Kosovës, kryesisht nga elementet e skajshme serbe.

“Nuk do të ketë në kuptim të ndonjë ndërhyrjeje nga jashtë apo diçka, mirëpo, ata kanë forma që edhe në të kaluarën i kanë përdorur dhe forma çfarë i kanë, pra të infiltrimeve apo shfrytëzimit të pozicioneve të tyre çfarë i kanë në strukturat paralele që i kanë zhvilluar këtyre viteve”, theksoi zoti Ibishi.

Autoritetet ndërkombëtare pohojnë se janë marrë të gjitha masat për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt gjatë periudhës së negociatave për statusin por edhe pas tij. Aktualisht 16 mijë pjesëtarë të forcave paqeruajtëse kujdesen për sigurinë në Kosovë bashkë më rreth 10 mijë pjesëtarë të policisë së Kombeve të Bashkuara dhe Shërbimit Policor të Kosovës. Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të ndihmojnë në ruajtjen e sigurisë si një nga faktorët thelbësore për përcaktimin e të ardhmes së tyre.

Kryeministri i Kosovës Agim Çeku tha se projektet e rëndësishme bartin rreziqe prandaj edhe gjendja e sigurisë në Kosovë është e qetë por përballë shumë sfidave.

“Përgjegjës për siguri e stabilitet janë të gjithë qytetarët e Kosoëvs, cdonjëri prej nesh ka rol në të dhe duhet të jemi të vetëdijshëmn në cfarë situate jemi dhe me qëndrimin tonë, me veprimin tonë duhet të kontribuojmë edhe në stabilitet, siguri dhe paqe në Kosovë”, tha kryeministri Çeku.

Tensionet po shtohen me afrimin e fundit te procesit të negociatave shtesë për statusin e Kosovës. Të premten në New York, delegacionet e Prishtinë dhe Beogradit takohen për herë të parë në këtë periudhë të bisedimeve por me qëndrime tërësisht të kundërta. Beogradi kërkon ruajtjen e sovranitetit mbi Kosovën, ndërsa Prishtina thotë se pavarësia është e pa negociueshme.

XS
SM
MD
LG