Sekretarja amerikane e Shtetit Condoleezza Rice u takua sot me Ministrin e Jashtëm francez Bernard Kouchner në Departamentin e Shtetit për bisedime që përfshijnë çështje si Irani, Kosova dhe Darfuri.
Zoti Kouchner i cili ndodhet për një vizitë dyditore në Washington kërkoi dje të qartësonte deklaratat e tij për Iranin gjatë një fjalimi të organizuar nga Qëndra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Duke folur per Kosoven, ministri Kushner tha se ajo eshte nje çeshtje evropiane qe duhet te zgjidhet nga Evropa.
Ministri i Jashtëm i Francës, ish administratori i Kosovës, Bernard Kushner, tha se edhe për çështjen e Kosovës pikëpamjet e Francës dhe Shteteve të Bashkuara konvergjojnë, edhe pse fokusi është natyrisht i ndryshëm, sepse Kosova është në Evropë, si gjeografikisht ashtu edhe politikisht. Janë pikërisht këto dy arsye, gjeografike dhe politike, që Kosova është para së gjithash çështje evropiane, tha ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner.
“Status kuoja mbart rreziqe, po ashtu edhe veprimet. Duke mbështetur konkluzionet e Raportit Ahtisari si dhe parimin e pavarësisë së mbikqyrur të Kosovës, me nismën tonë, Grupi i Kontaktit dhe treshja po përpiqen tani të nxisin dialogun mes serbëve dhe kosovarëve”.
Zoti Kushner theksoi se Evropa mbështetet së tepërmi tek Shtetet e Bashkuara për gjetjen e një zgjidhjeve evropiane të çështjes së Kosovës. Me shumë rëndësi është besimi tek evropianët për të stabilizuar gjendjen në hapësirën e tyre dhe identiteti evropian në një Bashkim të hapur për Ballkanin.
“Politika e jashtme e Bashkimit Evropian lindi në Ballkan; prandaj në asnjë mënyrë ajo nuk duhet të dështojë në Ballkan”.
Zoti Kushner tha se është me rëndësi esenciale që Shtetet e Bashkuara dhe Evropa të jenë të bashkuara, me qëllim që të shmangin tragjedi si ato të së kaluarës. Pyetjes se si e shikon ai të ardhmen e Kosovës pas 10 dhjetorit, ministri i Jashtëm i Francës iu përgjegj:
“Mendoj se serbët dhe shqiptarët duhet të gjejnë në farë konsensusi. Por nuk e di nëse do t’ia arrijën kësaj. Në dhjetor, treshja ndërkombëtare duhet t’i paraqesë raportin zotit Ban Ki Mun dhe atëhere do të shikojmë se çfarë duhet bërë. Por është me shumë rëndësi që ne të ruajmë unitetin në lidhje me këtë çështje, për të shmangur tragjedi si ato të së kaluarës”.
Zoti Kushner, tha se nuk parashikonte asnjë situatë, në të cilën Franca do të vepronte kundër interesave amerikane dhe atyre të NATOs. (kh)