Gjendja në Kosovë ishte një nga çështjet kryesore që u diskutuan në takimin e djeshëm në Shtëpinë e Bardhë, midis Presidenti Bush dhe Kryeministrit të Portugalisë, Jose Sokrates, vendi i të cilit ka tani presidencën e radhës të Bashkimit Evropian:
Kryeministri i Portugalisë tha se ai është duke u përpjekur për realizimin e një qëndrimi të përbashkët për të ardhmen e Kosovës në anën tjetër të Atlantikut, brenda vendeve evropiane.
Duke folur me gazetarët mbas takimit të tij me Presidentin Bush, Jose Sokrates tha se amerikanët dhe evropianët janë dakord për nevojën e gjetjes së një zgjidhjeje për çështjen e Kosovës.
“Diskutimet tona rreth Kosovës tregojnë se bashkëpunimi midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara është shumë i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin në botë. Dhe unë e garantova Presidentin Bush se përparësia ime përsa i përket çështjes së Kosovës, është që Evropa të jetë e bashkuar në qëndrimin e saj”, - tha Kryeministri portugez.
Bisedimet ndërkombëtare rreth Kosovës aktualisht kanë ngecur, pasi qeveria serbe e mbështetur nga Rusia, ka kundërshtuar të pranojë kërkesën për pavarësi të këtij territori.
Kryeministri Sokrates la të kuptohet se ka vështirësi për të arritur një konsensus evropian mbi këtë problem, por e bëri të qartë se ai është i vendosur për të arritur sukses.
“Unë do të bëj ç’është e mundur për t’u përballur me problemin delikat, por është e rëndësishme për Evropën, që për të përballuar këtë sfidë, të tregojë se është një Evropë e fortë dhe e bashkuar”,- tha zoti Sokrates.
Kosova ishte vetëm një nga vendet problematike të botës, që u diskutua gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti Bush tha se kishte biseduar për një sërë çështjesh me kryeministrin portugez, si gjakderdhja në rajonin e Darfurit në Sudan dhe për bisedimet e tregëtisë globale.
“Biseduam për probleme si Darfuri dhe Doha. Biseduam po ashtu për Kosovën dhe Lindjen e Mesme. Dhe që të dy jemi të vendosur të punojmë së bashku, për t’u përpjekur që, nëse nuk mund t’i zgjidhim këto probleme, të paktën t’i vemë në një pozicion më të mirë.",- tha Presidenti Bush
Zoti Bush, gjithashtu përmendi përpjekjet e Portugalisë për të ndihmuar popullin e Afganistanit dhe të Irakut. Ai tha se këto vende që duan lirinë e vlerësojnë mbështetjen e Portugalisë.//lk