Lidhje

Reagime pas vdekjes së Luçiano Pavarotit


Legjendari i operas italiane, Luciano Pavaroti, i cili e solli operan pranë njerëzve të thjeshtë si një nga tenorët më të mëdhenj të shekullit të 20-të, vdiq në shtëpinë e tij në Italinë veriore. Ai ishte 71 vjeç.

Manaxheri i tenorit, Terri Robson tha se Pavaroti vdiq dje në mëngjes në shtëpinë e tij në Modena. Ai ishte i sëmurë me kancer të pankreasit për më shumë se një vit. Mijëra njerëz u rreshtuan në rrugët e qytetit të Modenës dje dhe shpërthyen në duartrokitje në shenjë respekti kur makina e funeralit që mbante arkivolin me trupin e Pavarotit po shkonte nga shtëpia e tij në katedralen e qytetit, për ceremoninë e varrimit që do të zhvillohet nesër.

Opera shtetërore e Vjenës ngriti një flamur të zi në shenjë zije dhe rojet në Pallatin e Bukinkamit në Britani luajtën arien e njohur nga opera Turandot e Puçinit të kënduar nga Pavaroti, “Nessun Dorma”.

Tenori spanjoll, Plaçido Domingo tha se ai gjithmonë e admiroi madhështinë e zërit që zoti i dha Pavarotit. Një tenor tjetër spanjoll, Jose Carreras e quajti Pavarotin një mik të dashur.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë, Presidenti dhe zonja Bush e quajtën Pavarotin një humanitar të madh si dhe një nga këngëtarët më të përkryer të të gjithë kohërave.

Pavaroti lindi në Modena në vitin 1935. Në vitin 1961 mbas shumë vitesh studimi, ai fitoi një konkurs kënge dhe më pas iu ofrua një rol në operan e “Bohema” të Puçinit. Ai bëri debutimin e tij të parë operistik në vitin 1963 në Londër dhe më pas dhe shfaqje në Operan Metropolitane të New Yorkut, pesë vjet me vonë.

Një herë Pavaroti e përshkroi veten e tij si një skllav të zërit të tij të jashtëzakonshëm. Ai tha se të jesh një tenor është njësoj si të jesh sportist që kërkon stërvitje të vazhdueshme.//lk

XS
SM
MD
LG