Lidhje

Ekspozitë në SHBA me skeletin më të vjetër të fosilizuar të një gruaje


Eshtrat e fosilizuara të një skeleti të lashtë gruaje, i gjetur në Etiopi në vitin 1974 dhe që sot njihet në botë si Lusi, ndodhen tani në Shtetet e Bashkuara për një turne të pashembullt. Eshtrat janë pjesë e një ekspozite të madhe në Etiopi, që njihet si vendlindja e njeriut dhe gjithashtu djepi i qytetërimit të hershëm, dhe që tani po hapet në Muzeumin e Shkencave të Natyrës në Huston të shtetit Teksas. Por, ekzpozimi i Lusit jashtë Etiopisë ka krijuar debate.

Eshtrat janë të vendosura në një sipërfaqe të sheshtë, të mbrojtur me xhama të trashë në një dhomë të errët. Pranë, në një kuti xhami, është një imitim në skulpturë i paraqitjes që kjo grua, stërgjyshe e njerëzimit, mund të ketë patur, kur ajo jetonte në këtë tokë më shumë se tre milion vjet më parë. Krahas gazetarëve që i hodhën një vështrim të parë ekspozitës, ndodheshin dhe zyrtarë nga Etiopia, duke përfshirë dhe Ministren e Turizmit, Tadelech Dalacho.

"Vizitorët në ekspozitën “Trashëgimia e Lusit: Thesaret e fshehura të Etiopisë” do të mësojnë se Lusi ishte një krijesë mahnistëse dhe do t’u rikujtojë atyre se ne të gjithë kemi një origjinë të përbashkët nga Afrika,” thotë zonja Dalacho.

Zyrtarët etiopianë thanë se të ardhurat nga muzeumi në Huston do të mbështesin përpjekjet kërkimore dhe do të ndihmojnë për ruajtjen e vlerave kulturore në Etiopi. Ata janë duke përdorur gjithashtu ekspozitën e Lusit, si një mënyrë për të promovuar turizmin në këtë vend. Skeleti i pjesshëm që u zbulua në Etiopi në vitin 1974, u quajt nga paleontologët amerikanë që ndodheshin aty me emrin Lusi për arsye se ata po dëgjonin në atë moment këngën e Bitëllsave “Lusi në qiellin me diamante”. Megjithatë, etiopianët e quajnë atë Dinkenesh, që përkthehet “e bukura”.

Përgjegjësi i Antropologjisë në Muzeumin e Shkencave të Natyrës në Huston, Dirk van Turenhaut tha se ekspozimi i këtij fosili ka vlera të paçmueshme arsimore për komunitetin në Huston. Ai thotë se ky 40 për qind i mbetur nga skeleti i fosilizuar përman çelësin për të kuptuar evolucionin njerëzor.

“Ende edhe sot, kur janë bërë dhe zbulime të tjera, pavarësisht sa të vjetra ose sa të reja, standarti i rëndësisë vazhdon të jetë pyetja “si lidhet ky zbulim me Lusin, pra çfarë lidhjeje ka me Dinkenesh,” thotë zoti Turenhaut.

Jo të gjithë janë të kënaqur që Lusi është duke u ekspozuar këtu. Paleontologu me famë, Richard Leakey ka kritikuar lëvizjen e fosilit nga vendi i tij si një shfrytëzim i një krijese njerëzore jashtëzakonisht të rëndësishme. Shkencëtarë të tjerë kanë shprehur rezerva se fosili mund të pësojë dëmtime qoftë gjatë transportit, qoftë gjatë qëndrimit të planifikuar për 6 vjet në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti i Muzeumit të Shkencave të Natyrës në Huston, Joel Bartsch, thotë se këto janë shqetësime të pabaza.

“Kur filluam bisedimet me partnerët etiopianë, ngritëm një ekip specialistësh për të shkuar atje dhe për të studiuar Lusin, dhe të siguroheshin nëse ishte e mundur që ajo të transportohej. Në raportimin e tyre ata na u përgjigjën fjalë për fjalë se ajo ishte e fortë dhe e lidhur. Ky është një vlerësim i lartë për një grua me moshë 3.2 milion vjeçare,” thotë zoti Bartsch.

Ai tha se sistemi i sigurimit dhe kushteve të ambjentit në pavionin e muzeumit u aprovuan nga etiopianët, para mbërritjes së Lusit. Drejtoresha e Muzeumit Kombëtar të Etiopisë, Mamitu Yilma tha se ajo nguroi të lejonte eshtrat e fosilizuara të dilnin jashtë vendit të sigurtë ku ato mbaheshin, por bëri lëshim sepse ajo e konsideron Lusin si të rëndësishme jo vetëm për Etiopinë, por për të gjithë njerëzimin.

Zyrtarët e muzeumit në Houston thanë se Lusi mund të dërgohet dhe në Universitetin e Teksasit në kryeqytetin e këtij shteti, Austin për një proçedurë skanimi që do të japë hollësi të mëtejshme për strukturën e eshtrave të lashta, por kjo ide është ende në diskutim me zyrtarët etiopianë. Lusi gjithashtu prtitet që të ekspozohet dhe në disa muzeume të tjerë në Shtetet e Bashkuara gjatë 6 viteve të arshme, por këto marrëveshje duan ende kohë për të përfunduar. Ajo që dihet me siguri është se Houston do të jetë banesa e saj deri në 20 prill të vitit të ardhshëm. //ad//

XS
SM
MD
LG